Botë

Izraeli paralajmëron qytetarët që ia mësyjnë Turqisë për kujdes

Izraeli ka paralajmëruar të hënën se mund të bëjë ndryshime sa u përket udhëtimeve drejt Turqisë për shkak të kërcënimeve iraniane për hakmarrje lidhur me vrasjen e një koloneli të Gardës Revolucionare gjatë javës së kaluar, shkruan Reuters të hënën .

Teherani ka fajësuar Izraelin për vrasjen e Hassan Sayad Khodai, i cili u qëllua për vdekje në veturën e tij nga dy persona të armatosur, e që nuk është arritur ende të identifikohen.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Izraelit nëpërmjet një deklarate ka thënë se Teherani mund të synojë të dëmtojë izraelitët në Turqi, duke e klasifikuar këtë vend “me rrezik të lartë”.

Turqia është destinacion turistik për izraelitët dhe të dy vendet kanë përmirësuar lidhjet e tyre pas më shumë se një dekade marrëdhëniesh të tensionuara.

Izraeli e ka akuzuar Khodain për komplot sulmesh kundër qytetarëve të tij në mbarë botën.

Autoritetet iraniane nuk i kanë gjetur ende të dyshuarit, edhe pse incidenti ndodhi në një prej zonave më të sigurta në Teheran, “Rruga Mohahedin-e Eslam”, shtëpia e Forcave të saj elitare Quds.