Botë

OBSH: Lia e majmunëve transmetohet më ngadalë se viruset e tjera

Descriptive Text

Një zyrtare e lartë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tha të premten se prioritet duhet të jetë mbajtja nën kontroll e lisë së majmunëve në vendet jo-endemike, duke thënë se kjo mund të arrihet me veprim të shpejtë.

Lija e majmunëve, zakonisht një infeksion i butë viral, është endemik në vendet afrikane, por përhapja e tij në vendet jo-endemike si në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara ka ngritur shqetësime. Deri më tani, ka më shumë se 200 raste të konfirmuara ose të dyshuara në më shumë se 20 shtetw, raporton Reuters të premten.

"Ne mendojmë se nëse vendosim masat e duhura tani, mund ta përmbajmë lehtësisht”, tha Sylvie Briand, drejtore e OBSH-së për Përgatitjen Globale të Rrezikut Infektiv, në një konferencë teknike për shtetet anëtare në asamblenë vjetore të agjencisë shëndetësore të OKB-së.

Ajo theksoi se kishte një dritare mundësie për të parandaluar përhapjen e mëtejshme, duke i bërë thirrje publikut të gjerë të mos shqetësohet pasi transmetimi është shumë më i ngadaltë se viruset e tjera, si koronavirusi.

Zyrtarët e OBSH-së thanë se nuk kishte nevojë për vaksinim masiv për momentin.

"Hetimi i rastit, gjurmimi i kontakteve, izolimi në shtëpi do të jenë bastet tuaja më të mira," tha Rosamund Lewis, kreu i sekretariatit të lisë, i cili është pjesë e Programit të Emergjencave të OBSH-së.