Botë

Dy mësueset që sakrifikuan jetën për t’i shpëtuar nxënësit e tyre në Teksas

"Ne kemi një vit të mrekullueshëm përpara nesh!", janë fjalët e shkruara nga mësuesja e klasës së katërt, Eva Mireles, 44 vjeç, në fillim të vitit shkollor, e cila tani nuk jeton më.

Të enjten, që do të ishte edhe dita e fundit e shkollës, ajo dhe mësuesja tjetër Irma Garcia 48 vjeç, duhej të bënin gati klasën e tyre të përbashkët në “Robb Elementary” në qytetin e vogël të Texasit, Uvaldes dhe të përgatiteshin për pushimet verore.

Në vend të kësaj, familjet e tyre tani po bëjnë organizime funerali, pasi ato bashkë me 19 fëmijë të tjerë u qëlluan me armë zjarri gjatë një sulmi masiv, nga një 18-vjeçar, shkruan BBC-ja të enjten.

Në ditët e sulmit të së martës, trimëria e Garcias dhe Mireles është vlerësuar, pasi ato janë parë duke u përpjekur t’i strehojnë nw tw sigurtw studentët e tyre dhe t’i ruajnw nga plumbat.

Garcia u gjet nga oficerët "duke përqafuar fëmijët deri në frymën e fundit", tha nipi i saj John Martinez për “New York Times”.

"Ajo sakrifikoi veten duke mbrojtur fëmijët në klasën e saj. Ajo ishte një hero", shkroi ai në një faqe për mbledhjen e fondeve.

Ndërkohë, motra e mësueses Mireles, Maggie, shkroi se "Eva është me të vërtetë përkufizimi i një heroi. Ajo la mënjanë frikën e saj për të mbrojtur nxënësit e saj atë ditë”.

Garcia dhe Mireles kanë qenë një ekip mësimdhënësesh për pesë vjet dhe kishin 40 vjet përvojë së bashku.

Një foto e bërë muajin e kaluar tregon mësueset në klasën e tyre duke vëzhguar studentët, ndërsa ata punojnë në iPad.

“Eva Mireles dhe Irma Garcia ishin dy nga mësueset më të mëdha që Uvalde ka njohur ndonjëherë. Klasa e tyre ishte plot argëtim, rritje, qeshje, punë ekipore dhe mbi të gjitha dashuri”, shkroi në rrjetet sociale Natalie Arias, një specialiste e arsimit që jeton në Uvalde.

Bashkëshorti i Mireles, Ruben Ruiz, është një oficer policie i shkollës. Dy muaj më parë ai kreu në shkollën e mesme në Uvalde një stërvitje me gjuajtje aktive - e cila është e zakonshme në shkollat ​​amerikane. Ai nuk e dinte se vetëm disa javë më vonë, gruaja e tij do të bëhej viktimë e një veprimi të tillë.

“Washington Post” raportoi se Ruiz nxitoi për te shkolla “Robb Elementary” kur dëgjoi lajmin dhe iu desh të mbahej nga oficerët e tjerë teksa përpiqej me dëshpërim të shkonte te gruaja e tij.

Të paktën 185 fëmijë, edukatorë dhe njerëz të tjerë janë vrarë në sulmet në shkollat ​​amerikane që nga masakra e vitit 1999 në Columbine High, sipas të dhënave të “Washington Post”.