Botë

Scholz: Bota është në një pikë kthese, Gjermania po pajis ushtrinë për t’u mbrojtur

Scholz: Bota është në një pikë kthese, Gjermania po pajisë ushtrinë për t’u mbrojtur

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka paralajmëruar se Evropa dhe komuniteti ndërkombëtar janë në një pikë kritike, dhe shtoi se bota ka ndryshuar që prej kur nisi lufta në Ukrainë, shkroi CNN të enjten.

Ai u adresua gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos ku tha se jo vetëm Ukraina që është në rrezik, por edhe “sistemi i bashkëpunimit ndërkombëtar që u krijua pas dy luftërave botërore”.

“Bota është në një pikë kthese”, ka thënë ai.

Lufta ishte “e rrufeshme”, por përparimi i Rusisë “në kapjen e Ukrainës duket më pak i mundur se që dukej në fillim” të pushtimit, tha Scholz, duke theksuar rezistencën e fortë të trupave ukrainase dhe ndihmën nga komuniteti ndërkombëtar.

Moska ka dështuar në objektivat ushtarakë deri tash, por ka pasur sukses në bashkimin e komunitetit ndërkombëtar dhe shpejtimin e planit për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, shtoi ai.

“Ne nuk mund të lejojmë që Putini ta fitojë këtë luftë, dhe besoj fuqishëm se ai nuk do ta fitojë”, tha Scholz.

Shtoi se Gjermania do ta pajisë ushtrinë e saj që të jetë e gatshme “në çdo kohë” për ta mbrojtur veten “nën kushtet e reja” të krijuara nga Rusia.