Botë

Turqia kërkon “hapa konkretë” që t’i mbështesë shtetet nordike për NATO

Descriptive Text

Një zyrtar i lartë turk insistoi pas bisedimeve me zyrtarët suedezë dhe finlandezë të mërkurën, se Turqia nuk do të pajtohet me anëtarësimin në NATO të dy shteteve nordike, përveç nëse merren hapa specifikë për adresimin e kundërshtimeve të Ankarasë zyrtare.

“E kemi bërë të qartë se nëse shqetësimet për siguri të Turqisë nuk plotësohen me hapa konkretë në një afat të caktuar, procesi nuk do të përparojë”, tha Ibrahim Kalin në një konferencë për media pas bisedimeve që zgjatën rreth pesë orë, raportoi AP-ja.

Suedia dhe Finlanda dërguan aplikimet e tyre për t’u anëtarësuar në NATO javën e kaluar, një lëvizje që paraqet një nga pasojat më të mëdha gjeopolitike të luftës së Rusisë në Ukrainë, që mund ta rishkruajë hartën e sigurisë së Evropës.

Turqia ka thënë se kundërshton anëtarësimin e dy shteteve me arsyetimin se ato mbështesin Partinë Punëtore Kurde (PKK).

Qeveria turke po ashtu akuzon Finlandën dhe Suedinë për vënie të pengesave në eksportin e armëve ndaj Turqisë dhe refuzimin e ekstradimit të “terroristëve” të dyshuar.

Kundërshtimi i Turqisë ka ulur shpresat e Stokholmit dhe Helsinkit për anëtarësim në NATO. Të 30 shtetet anëtare duhet të pajtohen për pranimin e një anëtari të ri.

Kalin tha se propozimi i Turqisë për heqjen e kufizimeve për eksportin e armëve është pritur me “qëndrim pozitiv” nga delegacioni suedez dhe finlandez.

Shtoi se bisedimet do të vazhdojnë sapo qeveritë nordike t’u përgjigjen kërkesave të Turqisë.

“Turqia pret gjithashtu ekstradimin e 28 terroristëve nga Suedia dhe 12 nga Finlanda”, tha Kalin. Sipas tij, nuk ka “bazë ligjore apo juridike” që të mos ekstradohen.