Botë

Erdogani këmbëngulës: Turqia do t'i thotë “jo” anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO

Turqia do t'i thotë "jo" hyrjes së Finlandës dhe Suedisë në NATO, deklaroi të enjten presidenti Recep Tayyip Erdogan, ndërsa përfaqësues të lartë të dy vendeve pritet të vizitojnë Turqinë për bisedime në ditët në vijim, shkruan AA.

Udhëheqësi turk përsëriti shqetësimet e sigurisë së Ankarasë në mes të kërkesës të Helsinkit dhe Stokholmit për anëtarësim në NATO, duke thënë se vendet nordike kanë strehuar anëtarë të grupeve terroriste si YPG/PKK dhe organizata terroriste FETO.

"Ne u thamë atyre, ne thamë se NATO është një organizatë e sigurisë, ne nuk mund të pranojmë ekzistencën e organizatave terroriste në një organizatë të tillë", ka thënë Erdogan.

"Sidomos Suedia është një bujtinë e vërtetë për terrorin", ka thënë ai, duke shtuar se Stokholmi gjithashtu kishte vendosur embargo armësh ndaj Turqisë.

Turqia, anëtare e kamotshme e NATO-s, ka shprehur kundërshtime ndaj kërkesave të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë, duke kritikuar vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste, përfshirë YPG/PKK-në.

Gjatë pesë viteve të fundit, si Helsinki ashtu edhe Stokholmi nuk kanë arritur të pajtohen me kërkesat e Ankarasë për ekstradimin e dhjetëra terroristëve, duke përfshirë anëtarë të PKK dhe FETO.

Përfaqësues të lartë të Finlandës dhe Suedisë do të vizitojnë Turqinë në ditët në vijim për të zhvilluar bisedime zyrtare në Ankara, ku do të diskutojnë proceset e pranimit të tyre.