Botë

Scholz viziton Ballkanin Perëndimor në qershor

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se ai do të vizitojë Ballkanin Perëndimor përpara mbajtjes së takimit të Këshillit Evropian muajin e ardhshëm, duke përcjellë mesazhin se rajoni i përket Bashkimit Evropian, shkruan Reuters.

“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me aspirata për anëtarësim në BE – Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja & Hercegovina dhe Kosova – janë përfshirë në procesin e reformave shumëvjeçare”, ka thënë Scholz përpara deputetëve në Berlin të enjten.

"Nderimi i angazhimeve tona ndaj tyre nuk është vetëm një çështje e besueshmërisë sonë. Sot më shumë se kurrë, integrimi i tyre është gjithashtu në interesat tona strategjike", shtoi ai, duke potencuar ndikimin e fuqive të jashtme në rajon, duke përfshirë Rusinë.

Këshilli Evropian do ta mbajë takimin e radhës më 23 dhe 24 qershor.