Botë

Franca - fuqia më e butë në botë

Franca ka kapërcyer Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë si fuqia më e butë në botë, thuhet në studimin e agjencisë së konsulencës politike, Portland Communications, me seli në Britani.

Ky është një studim vjetor që tregon se sa ndikim global jo-ushtarak ka një vend i veçantë.

Britania ka kryesuar listën dy vjet më parë, por është eliminuar nga vendi i parë nga SHBA-ja, vitin e kaluar.

Megjithatë, thuhet në studim, zgjedhja e presidentit amerikan, Donald Trump, votimi për Brexit dhe zgjedhja e presidentit francez, Emmanuel Macron, duket se i kanë zhvendosur perceptimet globale.

Fuqia e butë – term i shpikur nga akademiku amerikan, Joseph Nye – është aftësia e vendit për të rritur aleancat ndërkombëtare dhe për të formësuar preferencat e të tjerëve përmes joshjes dhe tërheqjes.

Pesë vendet e para të indeksit të agjencisë Portland Communications i kanë: Franca, Britania, SHBA-ja, Gjermania dhe Kanadaja.