Botë

Inteligjenca ukrainase: Gruri i vjedhur nga rusët tashmë në Mesdhe

Inteligjenca ukrainase ka njoftuar se gruri i vjedhur nga trupat ruse në zonat e pushtuara tashmë po dërgohet jashtë vendit, raportoi të martën CNN-i.

Drejtoria e inteligjencës e ushtrisë ukrainase ka pohuar se një pjesë e konsiderueshme e grurit të vjedhur nga Ukraina është në anije të ngarkesave të thata të Rusisë në Mesdhe.

"Destinacion i mundshëm është Siria. Drithërat mund të kontrabandohen prej andej në vende të tjera në Lindjen e Mesme”, ka thënë kjo drejtori.

Gjithashtu është thënë se rusët “vazhdojnë të eksportojnë ushqime të vjedhura në Ukrainë në territorin e Federatës Ruse dhe Krimesë së pushtuar”.

Nga kjo drejtori është thënë se në një nga zonat kryesore të prodhimit të drithit, rreth Polohyt në rajonin e Zaporizhzhias, farat e drithit dhe lulediellit në ruajtje po përgatiten për transport në Rusi.

Javën e kaluar, ministria e mbrojtjes tha se gati gjysmë milioni ton metrikë grurë ukrainas tashmë janë vjedhur.