Botë

Refugjatët ukrainas në Meksikë, në pritje të SHBA-së

Kur Qeveria e SHBA-së njoftoi në fund të marsit se do të pranonte deri në 100.000 refugjatë ukrainas, qindra veta hynë në Meksikë çdo ditë si turistë në Mexico City ose Cancun dhe fluturuan në Tijuana për të pritur për disa ditë - eventualisht vetëm disa orë - për t'u pranuar në SHBA në një pikë kufitare të San Diegos. Terminët në konsullatat e SHBA-së në Evropë ishin të paktë dhe zhvendosja e refugjatëve kërkon kohë, duke e bërë Meksikën opsionin më të mirë

Në një fushë me pluhur në anën lindore të shtrirjes së kryeqytetit të Meksikës, rreth 500 refugjatë ukrainas po presin në tenda të mëdha nën një diell përvëlues që Qeveria e Shteteve të Bashkuara t'u thotë se mund të vijnë.

Kampi ka qenë i hapur vetëm një javë dhe 50 deri në 100 njerëz vijnë çdo ditë. Disa kanë qenë tashmë në kufirin e SHBA-së në Tijuana, ku u tha se nuk do të pranoheshin më. Të tjerë mbërritën në aeroportet në Mexico City ose Cancun, kudo ku mund të gjenin një biletë nga Evropa.

“Ne po i kërkojmë Qeverisë amerikane të procesojë më shpejt”, tha Anastasiya Polo, bashkëthemeluese e “United with Ukraine”, një organizatë joqeveritare që bashkëpunoi me Qeverinë meksikane për të krijuar kampin. Ajo tha se pas një jave asnjë prej refugjatëve nuk është as afër fundit të programit.

Programi “Të bashkuar për Ukrainën” u njoftua nga Qeveria e SHBA-së më 21 prill. Katër ditë më vonë ukrainasit që u paraqitën në kufirin SHBA-Meksikë nuk ishin më të përjashtuar nga një rregull i lidhur me pandeminë, që është përdorur për të dëbuar shpejt emigrantët pa pasur mundësi për të kërkuar azil për dy vjetët e fundit.

Image

Gati 5.5 milionë ukrainas, kryesisht gra dhe fëmijë, janë larguar nga Ukraina që kur Rusia pushtoi fqinjin e saj më të vogël, më 24 shkurt, sipas komisionerit të lartë të OKB-së për refugjatë


Në vend të kësaj, ata do të duhet të aplikojnë nga Evropa ose vende të tjera si Meksika. Për t'u kualifikuar, njerëzit duhet të kenë qenë në Ukrainë që nga 11 shkurti; të kenë një sponsor, i cili mund të jetë familja ose një organizatë; të përmbushin kërkesat e vaksinimit dhe të tjera të shëndetit publik; dhe të kalojnë kontrollet e sfondit.

Polo tha se zyrtarët e Qeverisë amerikane i kishin thënë asaj se duhej një javë për të procesuar njerëzit, por dukej sikur ishin vetëm fillesat. Disa nga të ardhurit e parë kishin marrë emaile nga Qeveria e SHBA-së, ku pranonin se kishin marrë dokumentet e tyre dhe ato të sponsorëve të tyre, por ajo ende nuk kishte dëgjuar për asnjë sponsor të jetë miratuar.

“Këta njerëz nuk mund të qëndrojnë në këtë kamp, ​​sepse është i përkohshëm”, tha Polo. Më shumë se 100 nga banorët e kampit janë fëmijë.

Largimi nga Ukraina

Gati 5.5 milionë ukrainas, kryesisht gra dhe fëmijë, janë larguar nga Ukraina që kur Rusia pushtoi fqinjin e saj më të vogël, më 24 shkurt, sipas komisionerit të lartë të OKB-së për refugjatë.

Giorgi Mikaberidze, 19 vjeç, është në mesin e atyre që presin. Ai mbërriti në Tijuana më 25 prill dhe e gjeti kufirin e SHBA-së të mbyllur. Ai u ankua se Qeveria amerikane kishte dhënë kaq pak njoftim, sepse shumë njerëz si ai tashmë ishin në transit. Nga vetëm disa metra larg Shteteve të Bashkuara ai përfundoi në rreth 966 kilometra largësi.

Kur Qeveria e SHBA-së njoftoi në fund të marsit se do të pranonte deri në 100.000 refugjatë ukrainas, qindra veta hynë në Meksikë çdo ditë si turistë në Mexico City ose Cancun dhe fluturuan në Tijuana për të pritur për disa ditë - eventualisht vetëm disa orë - për t'u pranuar në SHBA në një pikë kufitare të San Diegos, me kusht humanitar. Terminët në konsullatat e SHBA-së në Evropë ishin të paktë dhe zhvendosja e refugjatëve kërkon kohë, duke e bërë Meksikën opsionin më të mirë.

Udhëtimi nëpër Meksikë ishte i ndërlikuar, por një grup vullnetarësh, kryesisht nga kishat sllave në Shtetet e Bashkuara perëndimore, përshëndetën refugjatët në Aeroportin e Tijuanas dhe i dërguan në një qendër rekreacioni që qyteti i Tijuanas e vuri në dispozicion për disa mijëra për të pritur. Një pritje prej dy deri në katër ditë përfundimisht u shkurtua në disa orë, pasi inspektorët e kufirit të SHBA-së i futën ukrainasit brenda.

Ky trajtim special përfundoi ditën që Mikaberidze mbërriti në Tijuana.

"Ne duam të shkojmë në Amerikë, sepse ne tashmë ndodhemi këtu, disa nuk kanë as para për t'u kthyer", tha ai.

Mikaberidze po vizitonte të afërmit në Gjeorgji, në jug të Ukrainës, kur ndodhi pushtimi rus dhe nuk mundi të kthehej. Nëna e tij mbetet në fshatin e tyre pranë Kharkhovit në Ukrainën lindore, me frikë të largohet nga shtëpia e saj, sepse trupat ruse qëllojnë pa dallim makinat që udhëtonin në zonë, tha ai.

"Ajo është një situatë shumë e rrezikshme", tha Mikaberidze, i cili udhëtoi vetëm për në Meksikë.

Mikpritja meksikane

Image

Kampi ka qenë i hapur vetëm një javë dhe 50 deri në 100 njerëz vinin çdo ditë. Disa kanë qenë tashmë në kufirin e SHBA-së në Tijuana, ku u tha se nuk do të pranoheshin më


Kampi i Mexico Cityt ofron një vend të sigurt për të pritur. Ai u ngrit brenda një kompleksi të madh sportiv, kështu që ukrainasit mund të shiheshin duke shtyrë karroca me fëmijë përgjatë trotuareve, duke luajtur futboll dhe volejboll, madje edhe duke notuar.

Megjithatë, refugjatët janë paralajmëruar se ndërsa janë të lirë të largohen nga kompleksi, askush nuk është përgjegjës për sigurinë e tyre. Iztapalapa, bashkia më e populluar e kryeqytetit, është gjithashtu një nga më të rrezikshmet.

Qeveria meksikane po mbikëqyrte sigurinë në kamp me rreth 50 oficerë, tha Polo. Marina kishte ngritur gjithashtu një kuzhinë të lëvizshme për të ofruar ushqim.

Ajo tha se ata ndiheshin të sigurt brenda kampit, por po pyesnin Qeverinë për mundësinë e zhvendosjes së kampit në një zonë më të sigurt.

Mykhailo Pasternak dhe e dashura e tij, Maziana Hzyhozyshyn, pritën në hyrje të kompleksit të hënën pasdite. Të dy, duke vuajtur nga një ftohje, planifikuan të transferoheshin në një hotel për një ose dy ditë, për t'u përpjekur të flinin pak dhe të shëroheshin përpara se të ktheheshin në kamp.

Pasternak ishte larguar nga SHBA-ja për të ndihmuar Hzyhozyshyn të futej brenda. Të dy kishin kaluar disa ditë në Tijuana përpara se të fluturonin për në Mexico City dhe të mbërrinin në kamp të dielën.

Çifti u dallua në rrugët e Iztapalapas dhe dukej sikur po shkrumbohej nën diellin e pamëshirshëm. Çifti ishte njohur prej gjashtë vjetësh.

“Ajo është e dashuria ime”, tha Pasternaku.

Përktheu: Artinë Rexhepi