Botë

Rusia rifillon bombardimet mbi Azovstal pas largimit të dhjetëra civilëve

Descriptive Text

Rusia dyshohet se ka rifilluar të hënën sulmin në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, pas evakuimit të dhjetëra civilëve ukrainas nga objekti i madh industrial, raportoi të hënën BBC-ja.

Një nga mbrojtësit e kompleksit, komandanti i gardës kombëtare ukrainase Denys Shlega, ka thënë se bombardimet nisën pasi autobusët e evakuimit u larguan.

"Një armëpushim është shpallur gjatë dy ditëve të fundit gjatë një operacioni evakuimi civil", tha Shlega për televizionin kombëtar ukrainas. "Sapo u larguan civilët, filluan granatimet nga të gjitha llojet e armëve”.

Shlega pretendoi se disa qindra civilë kanë mbetur brenda, së bashku me rreth 500 ushtarë të plagosur.

Dhjetëra civilë pritet të mbërrijnë sot në qytetin ukrainas, Zaporizhzhia pasi arritën të largoheshin nga Azovstali me ndihmën e OKB-së dhe Kryqit të Kuq ndërkombëtar.