Botë

Zjarre të shumta në Mal të Zi, digjen disa shtëpi, evakuohen turistët

Në pjesën jugore dhe qendrore të Malit të Zi, zjarrfikësit po luftojnë me flakët e zjarrit, të cilat, për shkak edhe të erërave të forta po rrezikojnë shtëpitë dhe banorët.

Për shkak të situatës së krijuar nga stuhia e zjarrit, në Llushtica janë evakuuar qindra banorë, madje disa shtëpi edhe janë shkrumbuar plotësisht. Evakuimi i banorëve është bërë me ndihmën e Ushtrisë, Marinës dhe të Njësisë së lundrimit të Budvës.

Vatra e zjarrit ka përfshirë edhe lokacionin Bigovo dhe Ponte.

Edhe në komunën e Cetinës, Nikshiqit dhe Danillovgradit disa lokacione janë përfshirë nga vatrat e zjarrit ku njësitet e zjarrfikësve të mbështetur edhe nga banorët po luftojnë me flakët. Kurse zjarret në territorin e kryeqytetit momentalisht janë nën kontroll, ka deklaruar komandanti i shërbimit të mbrojtjes Andrija Çagjenoviq, duke shtuar se të gjitha ekipet në gatishmëri, për shkak të erës së fortë, raporton RTCG.

Çagjenoviq për agjencinë Mina ka theksuar se prej dje në mëngjes kanë pasur 70 intervenime, kurse prej fillimit të muajit korrik në territorin e kryeqytetit janë regjistruar 745 zjarre. Sipas fjalëve të tij, situata momentale është relativisht e qetë.

{gallery}

Çagjenoviq ka theksuar se sot në Podgoricë frynë erë e fortë dhe është paralajmëruar përforcimi i tij. Kështu edhe sot zjarrfikësit janë në gjendje të gatishmërisë.

Gjatë natës së mbrëmshme, ekipet e zjarrfikëseve kanë vepruar në disa lokalitete me zjarr në rajonin bregdetar dhe qendror të Malit të Zi, ka kumtuar drejtoria për situatat e jashtëzakonshme.

Theksohet se aktive janë disa zjarre në pjesët jugore dhe qendrore të vendit.

Përfaqësuesit e komunës së Herceg Novit u kanë bërë ftesë qytetarëve që të marrin pjesë në shuarjen e zjarrit në Llushticë.

Të theksojmë se rreth 100 kampues dhe turistë janë evakuuar nga kepi Veslo afër Llushticës, kurse zjarre aktive akoma ka edhe në pjesët tjera të Malit të Zi me përjashtim të viseve veriore, është kumtuar nga drejtoria për situatat jashtëzakonshme të ministrisë për punë të brendshme.

Ndërkaq, kryetarët e komunave Herceg Novi, Kotor dhe Tivat kanë kërkuar nga kryeministri Dushko Markoviq dhe Ministria për Punë të Brendshme e Malit të Zi për angazhimin urgjent të aviacionit në shuarjen e zjarrit në Llushticë.

“Duke pasur parasysh situatën alarmuese, konsiderojmë se është e domosdoshme angazhimi urgjent i aviacionit në shuarjen e zjarrit dhe ju lusim që urgjentisht të ndërmerrni masa plotësuese dhe të kërkoni ndihmë nga shërbimet gjegjëse të vendeve për rreth”, thuhet në kërkesë.

Në shuarjen e zjarrit, siç shkruan në portalin Vijesti, së bashku marrin pjesë forcat e shërbimeve nga Herceg Novi, Kotorri, Tivati dhe Budva, banorë të shumtë dhe ndërmarrës të cilët me këtë stuhi po luftojnë pa ndërprerë. Shumica e banorëve dhe e turistëve nga rajoni i përfshirë me zjarr janë evakuuar.