Botë

Alfano: Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Evropës

Ministri italian i Punëve të Jashtme, Angelino Alfano, në prag të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Trieste të Italisë, theksoi se mesazhi më i rëndësishëm i Samitit është se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës.

"Takimi në Trieste është i rëndësishëm. Ai njerëzve u dërgon një mesazh të qartë. Mesazhi më i rëndësishëm i samitit është 'Të dashur qytetarë të Ballkanit Perëndimor, vendi juaj është në Evropë'", tha Alfano në një konferencë për shtyp në Trieste, ku sot do të nisë samiti për Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi se në samitin e Triestes do të nënshkruhen edhe marrëveshje rreth projekteve të investimeve të vendeve të BE-së në rajon me vlerë prej 200 milionë euro.

Sipas tij, projektet e përmendura do të ndihmojnë vendet e rajonit në zbatimin e reformave në rrugën drejt BE-së.

Në Samitin që zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, do të diskutohet për krijimin e një tregu të përbashkët ballkanik, forcimin e bashkëpunimit rajonal, përmirësimin dhe zgjerimin e infrastrukturës të shërbimeve të energjisë në rajon, politikat e emigracionit dhe luftën kundër korrupsionit, terrorizmit dhe të gjitha formave të radikalizmit.