Botë

Ndikimi i Gjokoviqit të pavaksinuar te serbët anti-vaksinë

“Gjokoviqi është simbol kombëtar. Ai është simbol i Serbisë”, thotë Marija Vuçiq.

Ajo është gazetare, a cila jeton në kryeqytetin serb, Beograd. Gjatë ditëve të fundit, saga e vazhdueshme rreth asaj nëse Novak Gjokoviq do të luajë në turnamentin e tenisit “Australian Open” ka qenë tema numër një në vend, thotë ajo, duke shkaktuar përhapje të dezinformatave.

"Njerëzit, të cilët tashmë janë kundër vaksinimit, tani janë edhe kundërshtarë edhe më të vendosur”, thotë zonja Vuçiq për BBC-në.

“Jo vetëm që besojnë se vaksinat janë të panevojshme, por edhe të rrezikshme, ngaqë sportisti më i mirë në botë nuk do të vaksinohet, por tani ata besojnë edhe më shumë se kjo është një lloj pune djallëzore e strukturave globaliste që përpiqen të na bëjnë të marrim vaksinë kundër vullnetit tonë”.

Postimet dezinformuese

Postimet e fundit të grupeve kundër vaksinave në Facebook përfshijnë meme të shumta që e paraqesin Gjokoviqin kundër njerëzve që kanë kritikuar qëndrimin e tij ndaj vaksinës, duke sugjeruar se ata që kritikojnë pikëpamjet e tij janë shumë më pak të shëndetshëm.

Një tjetër postim i shpërndarë me mijëra herë nxit pretendimin e pabazë se atletët e vaksinuar do të bien pasi të vaksinohen.

Ndërsa Gjokoviqi ka shprehur hapur kundërshtimin e tij ndaj vaksinave, ai kurrë nuk ka dalë në mbështetje të pretendimeve që sugjerojnë se ato janë të dëmshme ose mendimeve të pabaza që lidhin koronavirusin dhe vaksinën me një elitë globaliste të fshehtë, shkruan BBC.

Pavarësisht kësaj, kampioni i tenisit është mbajtur si shembull në Serbi dhe në mbarë botën nga ata që kërkojnë të përhapin dezinformata rreth vaksinave.

Në një nga grupet më të mëdha të dezinformimit në Facebook, i cili ka mbi 320.000 anëtarë, Gjokoviqi ka qenë në qendër të postimeve të fundit.

Grupi fillimisht shkruante konspiracione kundër emigracionit përpara se të kalonte në dezinformim rreth COVID-19.

Duket se ngjarjet e fundit me Gjokoviqin i kanë nxitur edhe më shumë anëtarët e grupit pasi postimet e shumta kanë përkrahur Gjokoviqin dhe një postim e ka lidhur atë me Bill Gatesin - një figurë e qarqeve konspirative të koronavirusit që pretendojnë se ai krijoi pandeminë për të provuar kontrollimin e shoqërisë, dhe me tenistin Rafael Nadal, i cili është pro vaksinimit.

Kundërefekti

Profesoresha Jasna Milosheviq Gjorgjeviq ka kryer studime mbi teoritë e konspiracionit gjatë pandemisë në Serbi.

Sipas saj, trajtimi i padrejtë i Gjokoviqit në Australi, së bashku me statusin dhe popullaritetin e tij në Serbi, ka hapur një terren që lejon teoritë e konspiracionit, si ajo që sugjeron se COVID dhe vaksinat janë një përpjekje e elitës për të kontrolluar dhe acaruar shoqërinë.

"Ne kemi pasur një përhapje të komploteve të ndryshme në pesë ose gjashtë ditët e fundit rreth kësaj ngjarjeje. Komplote kundër trajtimit të yllit më të madh të tenisit, dhe çështja është se vendet e mëdha janë kundër atyre më të vogla si Serbia”, ka theksuar ajo për BBC-në.

Në një video në Facebook, e cila është parë mijëra herë dhe e shpërndarë gjerësisht në mesin e grupeve serbe kundër vaksinimit, bëhen pretendime të rreme që sugjerojnë se Shoqata e Tenisit të Australisë po i ndalonte tifozët të mbështesnin Gjokoviqin në “Australian Open”.

Grupet konspirative të Facebookut në Serbi e nxorën videon duke pretenduar se vërtetonte që Gjokoviqi po veçohej nga autoritetet australiane.

Në fakt, rregullat janë që asnjë mesazh politik nuk lejohet në ngjarje sportive dhe banderola në fjalë, e cila ishte e ndaluar pretendonte se Gjokoviqi ishte peng i shtetit federal të Viktorias.

Kriza e besimit

Në hulumtimin e botuar vitin e kaluar, profesoresha Gjorgjeviq zbuloi se popullsia e rritur serbe priret më shumë drejt besimit të konspiracioneve, sesa shumë pjesë të tjera të Evropës.

Në Beograd serbët kanë nxitur të tregojnë mbështetjen e tyre për Novak Gjokoviqin, përshkruan BBC.

Aktualisht më pak se gjysma e vendit është vaksinuar kundër COVID dhe ka pasur mbi 12.900 vdekje nga 1.36 milionë raste të regjistruara të virusit.

Në studimin e Gjorgjeviqit, që përfshin 1.480 serbë, ajo zbuloi se më shumë se gjysma ishin dakord që informacioni mbi koronavirusin po mbahej qëllimisht i fshehtë nga publiku dhe se kompanitë farmaceutike krijuan dhe përhapën virusin për të shitur ilaçet dhe vaksinat e tyre.

“Ekziston mendimi se nëse Gjokoviqi ka vendosur të mos e marrë vaksinën, ndoshta diçka nuk është në rregull me ato vaksina”, thotë Marija Vuçiq.

"Kjo është diçka që unë e di nga biseda me njerëz nga familja ime, me gjyshen time dhe njerëzit në lagjen time”, ka shtuar ajo për mediumin britanik.

Ndonëse është e vështirë të dihet se çfarë efekti kanë pasur ngjarjet e fundit me Gjokoviqin në dekurajimin e njerëzve për t'u vaksinuar, ajo që historia ka shkaktuar është të nxisë grupet që dëshirojnë të përhapin dezinformata rreth koronavirusit.

“Ka një mosbesim të madh në institucionet qeveritare dhe normat sociale nuk janë pozitive në lidhje me vaksinimin, sepse ne kemi njerëz të famshëm dhe politikanë të ndryshëm që flasin kundër vaksinimit, dhe kjo është ajo që është kritike për rastin Gjokoviq – krijimi i normave sociale në mbështetje të vaksinimit”, thotë zonja Vuçiq.

Përktheu: Kaltrina Selimi