Botë

Shtëpia e Bardhë ngatërron Kinën me Tajvanin

Një deklaratë zyrtare nga Shtëpia e Bardhë rezulton të jetë publikuar me një gabim tejet trashanik në sytë e publikut. Kjo, pasi është ngatërruar Kina me Tajvanin.

Pas takimit të Donald Trump me presidentin kinez, Xi Jinping, gjatë samitit të G20-s në Hamburg, deklarata për shtyp e presidencës amerikane e quan homologun e republikanit me fjalët President i “Republikës së Kinës”.

Ky është edhe termi zyrtar me të cilin njihet Tajvani, pasi Xi Jinping është realisht president i Republikës Popullore të Kinës.

Kjo nuk është hera e parë që Shtëpia e Bardhë bën të tilla gafa. Më herët, ajo e kishte quajtur Shinzo Aben president të Japonisë, në një kohë që ai është kryeministër, raporton KP.

Gjithsesi, versioni i deklaratës në faqen zyrtare të internetit të Shtëpisë së Bardhë mbi Kinën tashmë është korrigjuar dhe në të shkruhet “Presidenti Xi i Kinës”, ashtu siç u korrigjua edhe deklarata mbi Japoninë.

Megjithatë, këto gafa nuk kanë kaluar pa u ironizuar nga përdoruesit e rrjeteve sociale. Dhe prè e tyre kanë rënë pikërisht zyrtarët e administratës “Trump”. Chris Lu, një sekretar kabineti në Shtëpinë e Bardhë nën drejtimin e ish-presidentit Obama, shkroi menjëherë në “Twitter”.

“Oh, Shtëpia e Bardhë sapo iu referua Xi Jinpingut si udhëheqës i Republikës së Kinës, që në fakt është Tajvani”, duke e shoqëruar statusin me hashtagun #oraeamatorizmit.

Përcaktimi i saktë mes dy emrave zyrtarë tejet të ngjashëm në pamje të parë është shumë i rëndësishëm për dy fqinjët që kanë marrëdhënie të tensionuara mes tyre.

Kina e konsideron Tajvanin si provincë renegate, që duhet t’i bashkohet kufijve tokësorë të saj.