Botë

Franca bën padinë e parë për rrëzimin e aeroplanit në Sharm el-Sheikh në 2004

Franca ka paditur personin e parë për një aksident avioni vdekjeprurës të ndodhur në vitin 2004 në brigjet e Sharm el-Sheikh.

Mohamed Nour, ish-shefi ekzekutiv i Flash Airlines, është paditur nga shteti francez për “vrasje të pavullnetshme”, në dhjetor të vitit që lamë pas, ka konfirmuar një burim gjyqësor, raporton Euronews.

Kjo është hera e parë që dikush akuzohet për këtë ngjarje të ndodhur 18 vjet më parë.

Të gjithë 148 pasagjerët dhe ekuipazhi, përfshirë 134 shtetas francezë, vdiqën kur Boeing 737 u rrëzua në Detin e Kuq më 3 janar 2004.

Një hetim zbuloi se aeroplani kishte rënë vetëm tre minuta pas nisjes nga Egjipti, por shkaku i aksidentit nuk është përcaktuar.

Një çështje gjyqësore kundër Flash Airlines u pushua në vitin 2017 pasi gjyqtarët vendosën se akuzat kundër kompanisë dhe ekuipazhit egjiptian ishin "të pamjaftueshme". Por, Gjykata e Apelit e Parisit më vonë vendosi se hetimi nuk kishte arritur gjithashtu të merrte një shpjegim nga kryetari i linjës ajrore me kosto të ulët.

Sipas AFP-së, Nour u padit nga një gjykatës hetues muajin e kaluar. Ish-ekzekutivi akuzohet se ka lejuar ekuipazhin e aeroplanit të fluturojë pa kualifikimet e nevojshme, trajnimin ose kohën e pushimit.

Avokatët e Nour nuk i janë përgjigjur aktakuzës, ndërsa linja ajrore me kosto të ulët që atëherë është likuiduar.

Familjet e viktimave, raportohet se e kanë mirëpritur aktakuzën pas një beteje të gjatë ligjore, ku Egjipti është kritikuar për mungesë bashkëpunimi në hetim.

"Në 18 vjet procedime, ne shpesh kemi kërkuar që gjykatat të shqyrtojnë përgjegjësitë e kompanisë", tha Isabelle Manson, presidente e shoqatës së mbrojtjes së familjeve të viktimave.

Në vitin 2019, Franca u urdhërua t'i paguante shoqatës 10 mijë euro si dëmshpërblim për vonesat në këtë rast.