Botë

Pse Omicroni nuk është ndëshkim për pabarazinë e vaksinës

A do të përhapet më shpejt, sesa varianti i tanishëm ekstra-infektues delta? A i bën njerëzit më të sëmurë? A mund t’i shmanget mbrojtjes që vaksinat ofrojnë apo të infektojë përsëri të mbijetuarit? Ka shumë supozime, por pak prova të forta derisa shkencëtarët garojnë për të gjetur përgjigje mes hulumtimeve në një publik të shqetësuar

Uashington 05 dhjetor (AP) - Një botë e lodhur nga pandemia përballet me javë të tëra me paqartësi dhe konfuzion, gjersa shtetet po kufizojnë udhëtimet dhe marrin hapa të tjerë për të ndalur mutacionin më të ri potencialisht të rrezikshëm të koronavirusit para se dikush ta dijë se sa i rrezikshëm është në të vërtetë Omicroni.

A do të përhapet më shpejt sesa varianti i tanishëm ekstra-infektues delta? A i bën njerëzit më të sëmurë? A mund t’i shmanget mbrojtjes që vaksinat ofrojnë apo të infektojë përsëri të mbijetuarit? Ka shumë supozime, por pak prova të forta derisa shkencëtarët garojnë për të gjetur përgjigje mes hulumtimeve në një publik të shqetësuar.

“Janë pothuajse në nivel të panikut”, është mënyra se si Trevor Bedford, i cili studion evolucionin e koronavirusit në Qendrën Kërkimore të Kancerit, Fred Hutchinson, i përshkruan reagimet e ekspertëve shëndetësorë.

Omicroni mund të mos rezultojë “aq i keq sa ne ndoshta po imagjinojmë se mund të jetë, por mendoj se është plotësisht e përshtatshme për ta konsideruar si të tillë për momentin”, tha ai.

Deri tani, bota ka qenë e ngadaltë për të reaguar ndaj çdo kthese të paparashikuar të koronavirusit. Këtë herë paralajmërimi i hershëm nga Afrika e Jugut dhe Botsvana mund të ketë ofruar një avantazh të rëndësishëm.

“Është e vështirë të dihet: A jemi thjesht në një nivel me realitetin dhe tani bota është duke reaguar me shpejtësinë e duhur derisa po shfaqen variante?” - pyeti doktor Jacob Lemieux, i cili monitoron variantet për një bashkëpunim kërkimor të udhëhequr nga Shkolla Mjekësore e Harvardit.

Pse gjithë ky shqetësim?

Omicroni shkaktoi alarm për shkak të numrit të tij të madh të mutacioneve, më shumë se që kishin variantet paraprake. Është e mundur që 30 proteina spike (një lloj i proteinave), të cilat lejojnë virusin të ngjitet në qelizat njerëzore, të jenë në një vend kyç.

Shkencëtarët njohin disa mutacione nga variantet e mëparshme që ishin më ngjitëse ose më pak rezistuese ndaj vaksinimit. Por, ata kurrë nuk e kanë parë këtë grupim të veçantë ndryshimesh.

Shumica “janë vërtet unike për këtë virus”, tha Dr. William Moss nga Shkolla e Shëndetit Publik Johns Hopkins në Bloomberg. “Ajo që ka shqetësuar të gjithë është kombinimi i potencialit që ka rritur transmetueshmërine dhe aftësinë potenciale për t’i shpëtuar sistemit tonë imunitar”.

“Është një balancim”, tha Moss. “Ne duam ta marrim këtë çështje seriozisht për shkak të kombinimit të mutacioneve, por ne nuk duam të bëjmë panik dhe nuk duam të reagojmë më shumë seç duhet derisa të mësojmë vërtet më shumë për këtë virus”.

Lufta për përgjigje

Shkencëtarët kanë ende pak të dhëna nëse Omicroni shkakton sëmundje më të rënda se variantet e tjera. Dhe derisa ky variant tashmë është identifikuar në shumë vende për vetëm disa ditë pas njoftimit te zbulimit të tij, është gjithashtu ende shumë herët për të ditur se sa ngjitës është.

Varianti alfa që u shfaq rreth një vit më parë ishte më i transmetueshëm se virusi që nisi pandeminë. Pastaj goditi delta, që ishte shumë më ngjitës se alfa.

Është e paqartë se si Omicroni do të konkurronte në një vend si SHBA-të, ku varianti i fortë delta po shkakton më shumë se 99% të rasteve aktuale të COVID-19, tha Louis Mansky, drejtor i Institutit për Virologjinë Molekulare në Universitetin e Minesotës.

Edhe në pjesë të caktuara të Afrikës së Jugut, raportimi i rritjes se rasteve të shkaktuara nga Omicroni mund të mos sugjeroi se mutanti është më ngjitës se delta, tha Lemieux.

“Ne me të vërtetë nuk e dimë nëse Omicroni është fare jashtë konkurrencës së deltës apo nëse është bërë lloji dominues në disa vende rastësisht”, tha ai.

Për të kuptuar Omicronin më mirë, shkencëtarët po përpiqen të kuptojnë se si ai u shfaq. Meqë nuk është një pasardhës i deltës një hipotezë e famshme është se dikush me një sistem shumë të dobësuar imunitar ishte infektuar me koronavirus dhe nuk mund të shërohej për një kohë aq të gjatë derisa u grumbulluan mutacionet.

“Kjo është krejtësisht e çuditshme”, tha Bedford, variantet të cilat po qarkullonin gjatë verës së vitit 2020 duket se janë lloji më i afërt i Omicronit.

Viruset përjetojnë ndryshime sa herë që përhapen dhe është e mundur që Omicroni të kishte qenë duke u zhvilluar pa e vënë re diku gjatë kohës së testimeve për COVID-19.

Por, Bedford tha se paraqitja e papritur e Omicronit është më shumë si rezultati i luftës së maces dhe miut, kësisoj është edhe një trup me imunitet të dobësuar që lufton virusin, i cili në mënyrë të përsëritur e ndryshon proteinën spike për t’iu shmangur zbulimit.

Çka të kërkojmë?

Shkencëtarët thonë se mund të duhen dy deri në katër javë për të marrë disa përgjigje të rëndësishme.

Ndër shqetësimet më të mëdha është se si Omicroni mund t’i shmanget imunitetit. Deri më tani,

varianti beta ka qenë sfida më e madhe për mbrojtjen me vaksinë, por ai mutacion për fat të mirë nuk u përhap shumë.

“Ka shumë pak gjasa që ky variant i ri t’u ketë shpëtuar të gjithë antitrupave të krijuar nga vaksinimi”, tha imunologu E. John Wherry nga Universiteti i Pensilvanisë.

Prodhuesit e vaksinave dhe shkencëtarë të tjerë po bejnë teste laboratorike për të treguar se sa efektiv janë antitrupat e krijuar nga vaksinimi ose nga infektimi i mëparshëm për të luftuar omicronin në krahasim me variantet e mëparshme. Duhet kohë sepse së pari, ata duhet të rritin mostra të të ashtuquajturve “pseudoviruse”, të cilat përmbajnë mutacionet e reja shqetësuese.

Por, kjo “nuk do të jetë e gjithë historia”, tha Moss.

Përveç antitrupave, sistemi imunitar ka edhe shtresa të shumta të mbrojtjes, duke përfshirë qelizat T, të cilat duhet të ndihmojnë në shmangien e sëmundjeve të rënda edhe nëse dikush përjeton depërtim të infeksionit.

Ekspertët gjithashtu do të monitorojnë me kujdes përhapjen e infeksioneve të shkaktuara nga Omicroni dhe ashpërsinë e këtyre infeksioneve.

Sa i përket trajtimit, Regeneron thotë se përzierja e antitrupave kundër COVID-19 mund të jetë më pak efektive kundër Omicronit edhe pse ende nevojiten të bëhen më shumë testime. Por, ka disa pilula antivirale, një opsion i ri i shumë nevojshëm që nuk duhet të ndikohet nga mutacionet e Omicronit.

Çfarë duhet të bëni tani?

Shkencëtarët u bëjnë thirrje njerëzve që të marrin masa të thjeshta paraprake derisa presin për përgjigje - vendosni maskën në ambiente të mbyllura, shmangni turmat, merrni dozat e vaksinimit nëse jeni në mesin e 45 milionë të rriturve amerikanë që ende nuk janë vaksinuar – pavarësisht nga varianti i virusit që po qarkullon.

Një gjë është e qartë: Vaksinimi mbetet thelbësor. Vaksinat e tanishme mbrojnë nga varianti delta dhe versione të tjera të virusit që tashmë kanë dalë jashtë kontrollit, pavarësisht nëse Omicroni përhapet ose ndalet. SHBA-ja dhe vendet e tjera po u bëjnë thirrje njerëzve të cilëve u lejohet të marrin dozën përforcuese për të mos pritur, sepse doza shtesë rrit vrullshëm antitrupat që luftojnë virusin.

“Njerëzit që janë në dyshim për t’u vaksinuar do të duhej të shihnin një arsye të madhe që të vaksinohen. Njerëzit që ende nuk i kanë marrë dozat e tyre përforcuese, nëse u lejohet duhet t’i marrin ato. Dhe pastaj mendoj se duhet t'i lëmë shkencëtarët dhe praktikuesit e shëndetit publik të bëjnë punën e tyre”, tha Lemieux.

Përktheu: Marigona Avdimetaj