Botë

Dhjetëra udhëtarë nga Afrika e Jugut rezultojnë pozitivë me COVID-19 në Holandë

Descriptive Text

Një total prej 61 personave që mbërritën në Holandë me dy fluturime nga Afrika e Jugut të premten, rezultuan pozitivë për koronavirusin, dhe janë menjëherë në izolim pasi bota është në ankth nga varianti i ri i koronavirusit, shumë të transmetueshëm.

Teste të mëtejshme janë duke u zhvilluar tani për udhëtarët që mbërritën në aeroportin Schiphol të Amsterdamit për të përcaktuar nëse ndonjë prej tyre ka variantin e ri Omicron të COVID-19, që u zbulua për herë të parë në Afrikën Jugore.

Përhapja e shpejtë e variantit mes të rinjve në Afrikën e Jugut ka alarmuar profesionistët e shëndetësisë. Në vetëm dy javë, Omicroni e ka kthyer një periudhë të transmetimit të ulët në vend në një periudhë të rritjes së shpejtë.

Dy avionë mbërritën në Holandë nga Johannesburgu dhe Cape Toën menjëherë pasi qeveria holandeze, së bashku me vende të tjera në mbarë botën, vendosi të premten një ndalim të fluturimeve nga vendet e Afrikës Jugore pas zbulimit të variantit të ri, të cilin edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar si shqetësues.

Autoriteti shëndetësor lokal i Kennermerland, i cili është përgjegjës për operacionin e testimit dhe izolimit, ka bërë të ditur se njerëzit që rezultuan pozitivë duhet të karantinohen për shtatë ditë nëse kanë simptoma dhe pesë ditë nëse janë pa simptoma.

539 udhëtarët që rezultuan negativë u lejuan të ktheheshin në shtëpi ose të vazhdonin udhëtimet e tyre në vende të tjera.

Sipas rregulloreve të qeverisë, ata që jetojnë në Holandë dhe lejohen të kthehen në shtëpi duhet të izolohen për të paktën pesë ditë.