Botë

India ka më shumë gra se burra për herë të parë në historinë e saj

Descriptive Text

India ka më shumë gra sesa burra për herë të parë në historinë e saj të regjistrimit, sipas një sondazhi të qeverisë që tregon ndryshime të rëndësishme shoqërore në vend.

Anketa e pestë Kombëtare e Familjes dhe Shëndetit (NFHS) e kryer nga qeveria midis vitit 2019 dhe 2021 ka zbuluar se India tani ka 1,020 gra për çdo 1,000 burra.

Sondazhi i rreth 650,000 familjeve zbuloi gjithashtu se shkalla e riprodhimit të Indisë kishte rënë

Kjo do të thotë se nuk po lindin mjaft fëmijë për të zëvendësuar brezin e vjetër, duke sugjeruar se popullsia e Indisë prej afro 1.4 miliardë mund të jetë afër kulmit të saj dhe është një ndryshim i rëndësishëm për një vend ku më 1950 gratë kishin mesatarisht gjashtë fëmijë, raporton Guardian.

Lëvizja e Indisë drejt një popullsie kryesisht femërore është gjithashtu një moment i jashtëzakonshëm për një vend i cili për shekuj ka qenë një nga vendet e "grave të zhdukura", duke iu referuar miliona vajzave të vrara para ose menjëherë pas lindjes për shkak të stigmës shoqërore e të lindurit një vajzë.

Në vitin 1990, kur ekonomisti indian fitues i çmimit Nobel, Amartya Sen, shkroi për herë të parë për 37 milionë gra të zhdukura në Indi për shkak të disa faktorëve, raporti i grave ndaj burrave ishte 927 gra me 1000 burra.

Pavarësisht progresit të dukshëm, sipas sondazhit, raporti gjinor në lindje mbetet ende në 929 gra për çdo 1000 burra, gjë që tregon se çështja e përzgjedhjes së gjinisë nuk është eliminuar.