Botë

Droni shkakton devijimin e fluturimeve në “Gatwick” të Londrës

Një mjet i telekomanduar “drone”, i cili po fluturonte shumë pranë Aeroportit “Gatwick” të Londrës, shkaktoi mbylljen e pistës dhe detyroi devijimin e plot 5 fluturimeve.

Një zëdhënës i aeroportit tha se pista u mbyll dy herë, fillimisht për 9 minuta e më pas për 5 minuta të tjera, gjatë pasdites së të dielës, pasi u pikas droni në fluturim.

Kompania e fluturimeve ajrore “Easyjet”, siç transmeton TCH, njoftoi se 4 avionë të saj ishin devijuar, ndërsa edhe “British Airways” u prek nga incidenti me një fluturim të tijin që u devijua në Bournemouth. Policia e rajonit “Sussex” është duke hetuar mbi ngjarjen.

Komunikata zyrtare e aeroportit ishte pikërisht kjo: Operacionet në pistën e Gatwickut u pezulluan mes orës 18:10 dhe 18:19, e sërish nga ora 18:36 deri në 18:41, duke sjellë një numër të vogël devijimesh dhe zgjatje fluturimesh mbi pistë, derisa t’u sigurohej ulja. Operacionet rifilluan funksionimin normal, ndërsa policia po vijon hetimet.

Disa pasagjerë kanë rrëfyer për BBC-në sesi u devijuan fluturimet e tyre nga Aeroporti “Gatwick”. Ky nuk është rasti i parë që ndodh një gjë e tillë, e për shkak të problematikës që përbën, në nëntor të vitit të kaluar, Britania e Madhe rishikoi rregulloren e fluturimit të dronëve, duke ndihmuar pilotët të sigurohen se fluturimet e tyre në nisje dhe në zbritje të kryheshin brenda normave të sigurisë.

Rregullorja e rishikuar përfshinte moslejimin e dronëve pranë aeroporteve dhe pistave ajrore; kufizoi lartësinë prej jo më shumë se 120 metra nga toka dhe të paktën 50 metra larg zonave të banuara; mbikëqyrja e fluturimit të dronit gjatë të gjithë kohës; moslejimi i fluturimit të këtyre mjeteve të telekomanduara pranë një avioni; si dhe kërkonte përgjegjshmëri maksimale nga zotëruesit e tyre.