Botë

Londra druan se Brexiti mund ta rrezikojë paqen në Irlandën Veriore

Foto: Reuters

Ministri për Brexit i Britanisë së Madhe ka kërcënuar të hënën se do të aktivizojë klauzolën kundërshtuese të marrëveshjes së daljes së shtetit ishullor nga blloku – një hap ky që do të rrezikonte me ngrirje të raporteve ndërmjet Londrës dhe Brukselit.

David Frost ka deklaruar gjatë konferencës së përvitshme të Partisë Konservative në pushtet se marrëveshja e Brexitit po cenon paqen në Irlandën Veriore dhe po “shkakton destabilitet dhe kaos”.

Ai ka thënë se derisa të mos bëhen ndryshime të mëdha në marrëveshje, Britania do të aktivizojë Nenin 16, që ia mundëson secilës palë të suspendojë marrëveshjen në rrethana të jashtëzakonshme. Megjithëkëtë, Britania e ka bërë edhe më parë të njëjtin kërcënim, porse Frosti nuk i kishte shkuar deri në fund paralajmërimit të tij.

Kriza ndërmjet BE-së dhe Britanisë ka ardhur për shkak të pakënaqësive tregtare për Irlandën Veriore, pjesa e vetme e Mbretërisë së Bashkuar që ka kufij tokësorë me bllokun 27-anëtarësh.