Botë

Dyshime se shpërthimi në një ndërtesë ku u lënduan 16 persona ishte i qëllimshëm

Policia e Suedisë është duke hetuar nëse ndonjë aktivitet kriminal është prapa shpërthimit në një bllok të apartamenteve ku u lënduan 16 persona, prej tyre katër seriozisht, raporton BBC.

Rreth 100 qytetarë janë evakuuar dhe 16 janë dërguar në Spital, pasi një shpërthim shkaktoi një zjarr që përfshiu një ndërtesë në Gothenburg të Suedisë.

Policia ka thënë se dyshojnë se shpërthimi që ndodhi këtë mëngjes ka qenë i qëllimshëm.

“Është e qartë se aktiviteti kriminal në këtë rast nuk mund të përjashtohet”, ka thënë Ministri i Brendshëm, i Suedisë, Mikael Damberg në konferencë për media.

Siç kanë njoftuar mediumet në Suedi, një nga banorët në bllokun ku ndodhi shpërthimi, është një zyrtar policor që ka dëshmuar së fundi në një seancë gjyqësore ndaj një bande të madhe kriminale.

Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, duke folur përkrah Dambergut, ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë për shpërthimin, por ka shtuar se të gjithë duhet ta dinë se shoqëria është më e fortë sesa krimi.