Botë

Doza shtesë në horizont, të pavaksinuarit problemi

Të premten, ekipi i shumëpritur i ekspertëve të lartë përfundoi me rekomandimin për dozën shtesë për grupet e rrezikuara nëse infektohen. Grupi i këshilltarëve përfshin ekspertë vaksinash, imunologë, pediatër, specialistë të sëmundjeve infektive dhe ekspertë të shëndetit publik. Rekomandimi ishte që qytetarët mbi 65 vjeç dhe ata më të rrezikuar nga COVID-19 të marrin dozën shtesë, gjashtë muaj pas imunizimit me dozën e dytë.

Teksa më shumë njerëz pritet të jenë të lirë për të marrë dozën shtesë të vaksinës anti-COVID, çështja e cila po shqetëson autoritetet për zgjatje të pandemisë është popullata e pavaksinuar, e cila po i mbush spitalet dhe po i shton vdekjet nga virusi.

Këshillëdhënësit e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) të premten i dhanë dritën e gjelbër përdorimit emergjent të dozës shtesë të Pfizerit gjashtë muaj pas vaksinimit të plotë, për grupmoshën mbi 65 vjeç dhe te grupet që konsiderohen më të rrezikuara nga infektimi. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC), pritet të mbajë takim javën e ardhshme me këshilltarët e vaksinave dhe agjencia të përcaktohet për miratimin final të dozës shtesë.

Por, me 54.4 për qind të popullatës amerikane tërësisht të vaksinuar, ekspertët shëndetësorë kanë ritheksuar se doza shtesë s’është përgjigja për t’i dhënë fund pandemisë.

Dr. Paul Offit, pjesëtar i Komitetit Këshillëdhënës për Vaksinat në FDA, ka thënë se vaksinimi i çdo amerikani mbetet strategjia më e rëndësishme.

“Çka do të ndryshonte në këtë kohë të pandemisë po qe se ua japim dozën e tretë atyre që janë tashmë të vaksinuar, në krahasim me dhënien e dy dozave të pavaksinuarve?”, ka thënë Offit për CNN-in të premten.

Ka qenë një trajektore e zymtë sa i përket shtrirjeve në spital dhe vdekjeve në muajt e fundit në SHBA. Të enjten, mesatarja e vdekjeve nga COVID-19 në javën e fundit shkoi në 1.464, sipas autoriteteve. Kjo ishte shifra më e lartë që nga 1 marsi, kur nisi zgjerimi i procesit të vaksinimit.

Paralajmërimi i rrezikshëm

Image
Një trajektore e zymtë sa i përket shtrirjeve në spital dhe vdekjeve në muajt e fundit ka përfshirë SHBA-në. Të enjten, mesatarja e vdekjeve nga COVID-19 në javën e fundit shkoi në 1.464. Kjo ishte shifra më e lartë që nga 1 marsi, kur nisi zgjerimi i procesit të vaksinimit

Në West Virginia, ku 74 persona vdiqën nga virusi që nga e mërkura, shteti po bën lutje për vaksinim. Shteti deri tash i ka të vaksinuar tërësisht 40.1 për qind të popullatës së vet.

“Ose duhet të futemi tani në zjarr dhe të vaksinohemi, ose do të mbledhim qeset me të vdekur deri kur të arrijmë në një kohë kur të kemi mjaftueshëm njerëz të imunizuar dhe mjaftueshëm njerëz të vaksinuar”, ka thënë guvernatori Jim Justice. “E vetmja gjë që kam në arsenalin tim për ta bërë situatën më të mirë është vaksinimi. Kaq kemi.”

Në Alabama, ku është rritur dukshëm së fundmi numri i të shtrirëve në spital dhe i vdekjeve, ka bërë që të shtohet numri i shtretërve. Zyrtari i Agjencisë së Shëndetit Publik, Scott Harris, ka thënë se “me dhembshuri duhet thënë se janë dy mënyra se si njerëzit largohen nga spitali... njëra nuk është aspak e mirë”.

Shteti ku janë vaksinuar tërësisht 41 për qind e popullatës, ka përjetuar nga “40 deri 60 vdekje në ditë”. Të paktën shtatë gra shtatzëna kanë vdekur nga COVID-19 në Alabama që kur ka nisur pandemia. Ndërkaq, shteti regjistroi edhe 23 gra shtatzëna të shtrira në spital javën e shkuar.

Doza shtesë

Të premten, ekipi i shumëpritur i ekspertëve të lartë përfundoi me rekomandimin për dozën shtesë për grupet e rrezikuara nëse infektohen. Grupi i këshilltarëve përfshin ekspertë vaksinash, imunologë, pediatër, specialistë të sëmundjeve infektive dhe ekspertë të shëndetit publik. Rekomandimi ishte që qytetarët mbi 65 vjeç dhe ata më të rrezikuar nga COVID-19 të marrin dozën shtesë, gjashtë muaj pas imunizimit me dozën e dytë.

Komiteti nuk e dha rekomandimin për dozën shtesë për popullatën e gjerë. Këshilltarët u ankuan për mungesë të dhënash për sigurinë dhe efikasitetin afatgjatë të dozës shtesë te grupmoshat tjera.

Vota nxiti polemika, me disa ekspertë që shprehën shqetësimin se janë lënë anash punëtorët shëndetësorë që rrezikon nga infektimi. FDA-ja ka kërkuar nga këshilltarët që jozyrtarisht të zgjerojnë listën e rekomandimit për stafin që është më i rrezikuar nga infektimi i mundshëm - dhe fitoi një “po”.

“Mendoj se kjo duhet t’ia demonstrojë publikut se pjesëtarët e këtij komiteti janë të pavarur dhe, në fakt, ne sjellim zërin tonë në tavolinë kur na kërkohet t’i shërbejmë”, ka thënë Archana Chatterjee, dekane në Universitetin “Rosalind Franklin”, pas votimit të fundit.

Çështja e pavarësisë doli në sipërfaqe për shkak se administrata e presidentit Joe Biden njoftoi se është e gatshme të shpërndajë dozën shtesë që nga e hëna - para se FDA-ja të ndërmerrte veprim apo ta kishte në konsideratë atë.

Ulja e rasteve

Florida sheh ulje të rasteve me COVID-19. Lajmi i mirë nga SHBA-ja ka qenë që Florida, që konsiderohej zonë e rrezikshme, me shtetin që kaloi 50 mijë vdekje nga COVID-19, ka përjetuar qetësim të situatës.

“Një çerek i këtyre vdekjeve ndodhën për shkak të shpërthimit të variantit ‘Delta’, andaj i vë pikën faktit se sa vdekjeprurës ka qenë ky variant”, ka thënë Jerry Demings, kryetari i qarkut Orange.

Ky qark ka pasur 372 vdekje nga COVID-19 në muajin gusht.

Gjithsesi, vendi po “shijon lajme premtuese”, me uljen e numrit të rasteve ditore të infektimit. Për të 13-n ditë rresht, numri i vdekjeve ka qenë më i ulët se 1.000.

“Ka edhe lajme tjera të mira. Deri sot, 72 për qind e qytetarëve mbi 12 vjeç kanë marrë të paktën nga një dozë të vaksinës”, ka thënë ai.

Në përgjithësi, shteti ka pasur më pak se 100 mijë raste të reja me COVID-19 në javën e fundit, për herë të parë nga 16 korriku, sipas të dhënave të publikuara nga Departamenti i Shëndetit në Florida.

Rastet e reja në Florida kanë qenë në rënie që nga 20 gushti, kur u arrit piku me 151 mijë e 880 raste të reja për një javë.