Botë

Raportohet për manipulime me vota në zgjedhjet në Rusi

Kreu i partisë së dytë më të madhe politike të Rusisë po pretendon shkelje të shumta në zgjedhjet për një parlament të ri, në të cilin partia e tij pritet të fitojë ulëse.

Kreu i Partisë Komuniste, Genadi Zyuganov, tha të shtunën – dita e dytë nga tri të votimit - se policia dhe komisioni kombëtar i zgjedhjeve duhet t'i përgjigjen raporteve të "një numri faktesh absolutisht të tmerrshme", përfshirë mbushjen e votave në disa rajone.

Lëvizja për monitorimin e zgjedhjeve Golos dhe mediat e pavarura gjithashtu raportuan shkelje duke përfshirë blerjen e votave dhe masat e dobëta për ruajtjen e votave në qendrat e votimit, raporton AP.

Partia “Rusia e Bashkuar”, e cila është besnike ndaj presidentit Vladimir Putin, duket se do të ruajë dominimin për parlamentin, por disa projeksione sugjerojnë se ajo mund të humbasë shumicën e saj aktuale të dy të tretave, e cila është e mjaftueshme për të ndryshuar kushtetutën.

Zyuganov tha se partia ka regjistruar të paktën 44 incidente të shkeljeve të votimit dhe se partia ka aplikuar për leje për të mbajtur protesta gjatë javës pasi votimi të përfundojë.

Faqja e lajmeve Znak tha se një banor i rajonit të Moskës po u ofronte 1.000 rubla njerëzve që votuan për Rusinë e Bashkuar. Në raport thuhej se u kontaktua burri, i cili tha se pagesa do të vinte nëse telefonuesi siguronte dëshmi të votës së tij përmes një aplikacioni të mesazheve.

Lëvizja Golos citoi raporte nga vëzhguesit e saj dhe mediat lokale të lajmeve për një sërë shkeljesh të dukshme, përfshirë fletët e votimit të ruajtura brenda natës në një kabinet me derë të thyer dhe zarfe për ruajtjen e numrave të votave që duket se ishin hapur dhe më pas ishin vulosur.

Në ditën e parë të votimit të premten, radhë të papritura të gjata u formuan në disa vendvotime dhe mediat e pavarura sugjeruan se kjo mund të tregojë se institucionet shtetërore dhe kompanitë po detyrojnë punonjësit të votojnë.