Botë

Rusia bllokon Navalnyn përpara zgjedhjeve

Descriptive Text

Autoritetet ruse bllokuan të hënën një faqe elektronike të kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny, që udhëzonte përkrahësit se si të skualifikonin kandidatët nga partia në pushtet në zgjedhjet parlamentare më vonë këtë muaj.

Në një deklaratë për AFP- në, vëzhguesi shtetëror i komunikacioneve “Roskomnadzor” tha se qasja në faqen elektronike “votesmart.appspot.com” ishte bllokuar në Rusi “sepse po përdoret për të vazhduar punën e një organizate ekstremiste”.

Zgjedhjet parlamentare janë planifikuar të zhvillohen më 17-19 shtator, me pothuajse të gjithë kritikët e zëshëm të Kremlinit, përfshirë aleatët e Navalnyt që janë të ndaluar të kandidojnë.

Këtë vit, organizatat e Navalnyt 45 vjeç u shpallën “ekstremiste” dhe të ndaluara, ndërsa ndihmësit e tij kryesorë janë larguar nga vendi.

Pasi i mbijetoi një helmimi me agjentin nervor Noviçok verën e kaluar, Navalny u burgos në shkurt në atë që mbështetësit e tij thonë se ishte ndëshkim për misionin e tij për largimin nga pushteti të presidentit Vladimir Putin, që udhëheq me vendin prej dy dekadash.

Rregullatori i mediave, “Roskomnadzor” më parë ndaloi aksesin në dhjetëra faqe elektronike të lidhura me Navalnyn, duke përfshirë faqen e tij kryesore “navalny.com”.

Javën e kaluar rregullatori i mediave gjithashtu u kërkoi kompanive Google dhe Apple që të heqin një aplikacion të dedikuar për fushatën e Navalnyt “Votimi i zgjuar” nga bankat e tyre të aplikacioneve, por kompanitë ende nuk kanë reaguar.

Taktika e “Votimit të Zgjuar” ka bërë që partia gjithnjë e më jopopullore Rusia e Bashkuar, që aktualisht ka më pak se 30 për qind të votave, të humbasë një numër vendesh në zgjedhjet e fundit të pushtetit vendor. /Voa