Botë

Afrika Perëndimore goditet nga shpërthimi i COVID-19 dhe Ebolës

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar të premten se krahas krizës së rënduar me pandeminë COVID-19, Afrika Perëndimore po përballet me shpërthimin e ri të rasteve me ethet hemorragjike dhe Ebolën.

Shfaqja e vatrave të reja të sëmundjeve i reflekton sfidat e shumëfishta me të cilat ballafaqohen qeveritë në rajon, ka paralajmëruar drejtori rajonal i OBSH-së për Afrikë, Matshidiso Moeti.

Ai ka bërë të ditur se autoritetet në Bregun e Fildishtë kanë nisur vaksinimin e punonjësve shëndetësorë kundër Ebolës, pas konfirmimit të rishfaqjes së virusit vdekjeprurës gjatë fundjavës, kur vendi e regjistroi rastin e parë që nga viti 1994.

Autoritetet kanë njoftuar se bëhet fjalë për rastin e izoluar të një vajze 18-vjeçare që kishte udhëtuar nga Guineja fqinje.

Javën e shkuar, zyrtarët shëndetësorë në Guine e konfirmuan vdekjen e një personi nga ethet tropikale Marburg, që janë të ngjashme me Ebolën.

Zyrtari i OBSH-së ka alarmuar se Afrika për çdo vit përballet me shpërthime më të shpeshta të sëmundjeve infektive se sa cilido rajon tjetër në botë.