Botë

Vazhdon kaosi, ushtarët britanikë ndihmojnë turmën e afganëve në aeroportin e Kabulit

Ushtarët britanikë kanë ndihmuar qytetarët britanikë që të ikin nga aeroporti i Kabulit të premten, ku janë pritur nga një turmë e madhe qytetarësh që gjithashtu tentojnë të largohen nga Afganistani i kontrolluar prej talebanëve.

Duke punuar pjesërisht përskaj talebanëve, ushtarët britanikë kanë asistuar qytetarët e tyre dhe afganët që kanë bashkëpunuar me ta gjatë konfliktit për hipjen në aeroplanët e rezervuar të Mbretërisë së Bashkuar, raportojnë mediat e huaja. 

Një angazhim i tillë i ushtarëve britanikë është bërë pasi sekretari i Jashtëm i vendit, Dominic Raab, i ka kundërshtuar thirrjet për dorëheqje. Ai është përballur me kërkesa për largim shkaku se pretendohet që kishte refuzuar t’i ndërpresë pushimet në ishullin grek të Kretës për të realizuar një telefonatë me qëllim që ta ndihmojë largimin e përkthyesve nga Afganistani.