Botë

Shkon në rreth 1.300 numri i viktimave nga tërmeti në Haiti

Trupa të tjerë të pajetë janë nxjerrë në orët e fundit në Les Cayes, derisa numri i përgjithshëm i viktimave të tërmetit në Haiti ka shkuar në rreth 1.300, njofton agjencia AP. Shkalla e tërmetit të fundjavës ishte prej 7.2 shkallësh të Riterit.

Ekipet e shpëtimit janë munduar të nxjerrin sa më shumë të mbijetuar nga frika se stuhia që po afrohet në ishull do të vështirësojë aksionet e ndihmës. Rreth tre mijë qytetarë kanë pësuar lëndime më të lehta, derisa dhjetëra mija banorë kanë mbetur pa strehë mbi kokë.

Të mbijetuarit në disa rajone janë detyruar të vendosen në strehimore dhe në fusha futbolli. Spitalet kanë raportuar për mbingarkesë për shkak të numrit të lartë të atyre që kanë kërkuar ndihmë. Megjithatë, autoritetet druajnë se situata mund të përkeqësohet nga stuhia “Grace” që pritet ta godasë rajonin. Priten reshje të dendura në orët e mbrëmjes sipas kohës lokale. Nuk përjashtohen edhe vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut.