Botë

Tokio në alarm pas mbi 5 mijë rasteve të reja ditore në mes të Olimpiadës

Kryeqyteti japonez raportoi të enjten për 5 mijë e 42 raste të reja të infektimit me koronavirus, bilanc ky më i lartë që nga fillimi i pandemisë, duke e ngritur alarmin në qytetin nikoqir të Lojërave Olimpike.

Me të dhënat e fundit, totali i të infektuarve në Tokio ka shkuar në gjithsej 236 mijë e 138.

Qyteti është në gjendje të emergjencës që nga mesi i korrikut, ndërsa të enjten lista e qyteteve që janë vënë nën këtë masë deri më 31 gusht është zgjeruar edhe me katër të tjera.

Mirëpo masat që përfshijnë ndalimin e alkoolit në restorante dhe bare, si dhe oraret e shkurtuara të punës po shpërfillen përherë e më shumë nga qytetarët e lodhur prej kufizimeve.

Kryeministri Yoshihide Suga, i përballur me kritika të shumta, ka mohuar se Lojërat Olimpike kanë ndikuar në valën e fundit të rritjes së rasteve me COVID-19.

Të alarmuar nga ritmi i përhapjes, disa ekspertë e kanë cilësuar të jashtëzakonshme gjendjen në Tokio dhe në pesë zona të tjera të vendit.