Botë

Djepi i “Pranverës Arabe” në kaos pas grusht-shtetit

Descriptive Text

Këto zhvillime vijnë pas një qorrsokaku politik dhe përplasjeve të Saiedit, të konsideruar si autsajder politik, kundër kryeministrit Hichem Mechichi dhe një parlamenti të fragmentuar në kohën kur Tunizia po përballet me thellimin e krizës së pandemisë së koronavirusit

Demokracia e re e Tunizisë po përballet me krizën më të madhe në dekadën e saj të parë, pasi presidenti Kais Saied ka rrëzuar të hënën Qeverinë dhe ka ngrirë aktivitetet e Parlamentit, në një veprim që kundërshtarët e tij e kanë cilësuar si grusht-shtet, derisa Gjermania ka shprehur shqetësimin serioz lidhur me zhvillimin në shtetin e Afrikës Veriore.

Këto zhvillime vijnë pas një qorrsokaku politik dhe përplasjeve të Saiedit, të konsideruar si autsajder politik, me kryeministrin Hichem Mechichi, dhe një parlamenti të fragmentuar në kohën kur Tunizia po përballet me thellimin e krizës së pandemisë së koronavirusit.

Kryetari i parlamentit, Rached Ghannouchi, pjesë e Ennahdas që ka qenë në koalicione të njëpasnjëshme qeveritare, e ka konsideruar vendimin e presidentit si mësymje ndaj demokracisë dhe u ka bërë thirrje tunizianëve që të dalin në rrugë për të kundërshtuar.

“Jam kundër mbledhjes së të gjitha kompetencave në duar të një personi”, ka thënë Ghannouchi kur ka mbërritur te hyrja e parlamentit mëngjesin e së hënës, ku ushtarët kishin rrethuar ndërtesën. Ata ia ndaluan hyrjen. Kryekuvendari ka thënë se do të ftojë seancë për të sfiduar Saiedin.

Lëvizja rrezikon të sjellë konfrontim destabilizues ndërmjet presidentit që ka mbështetjen e ushtrisë dhe grupeve që thonë se ky veprim është jodemokratik, përfshirë islamikët që ishin shtypur për dekada me radhë deri në vitin 2011 kur shpërtheu revolta tuniziane që nxiti “Pranverën Arabe”.

Presidenti ka thënë se ka shfrytëzuar të drejtat e tij kushtetuese për të shkarkuar Mechichin dhe ka nxjerrë një dekret për të ngrirë veprimtarinë parlamentare për tridhjetë ditë. Saied ka thënë se do ta qeverisë vendin bashkë me emërimin e një kryeministri të ri.

Këto zhvillime kanë ardhur një ditë pas protestave kundër Qeverisë dhe partisë më të madhe parlamentare “Ennahdas” së moderuar islamike, për shkak të ngritjes së rasteve me COVID-19 dhe ngritjes së zemërimit kundër mosfunksionimit politik dhe krizës ekonomike.

Vendimet e presidentit përbëjnë sfidën më të madhe politike për Tunizinë pas revolucionit të vitit 2011, që rrëzoi autokracinë në favor të sundimit të rendit, por që nuk ia doli të sillte qeverisje e prosperitet. Menjëherë pas vendimit të Saedit, turma të mëdha njerëzit janë mbledhur në përkrahje të tij në kryeqytetin Tunis dhe në qytetet e tjera të mëdha, derisa ushtria ka bllokuar ndërtesën e parlamentit dhe televizionit shtetëror.

Në afërsi të parlamentit, mbështetësit dhe kundërshtarët e presidentit kanë hedhur gurë në drejtim të njëri-tjetrit. Është raportuar për lëndime, derisa një kalimtar është parë me kokën e përgjakur ulur në trotuar. Mechichi – i cili ishte kryeministër i pavarur – është në shtëpi dhe nuk konsiderohet në arrës shtëpiak, ka thënë një burim i afërt me të. Këtë e kanë konfirmuar edhe burime brenda sistemit të sigurisë.

Ministria e Jashtme gjermane ka vlerësuar se Qeveria e Gjermanisë është shumë e shqetësuar pas përshkallëzimit të gjendjes në Tunizi.

“Ne jemi këtu për të mbrojtur Tunizinë. Kemi parë të gjitha tragjeditë nën sundimin e ‘Vëllazërisë Myslimane’”, ka thënë një djalosh që është prezantuar si Ayman. Ai i është referuar lëvizjes islamike të themeluar më 1928, që kishte frymëzuar islamikët anembanë botës, përfshirë “Ennahdas”. Kjo parti është munduar viteve të fundit të distancohej nga “Vëllazëria Myslimane”.

Imed Ayadi, anëtar i “Ennahdas”, ka krahasuar Saiedin me presidentin egjiptian, Abdel-Fattah al-Sisi, i cili rrëzoi presidentin Mohammed Mursi, pjesë e “Vëllazërisë Myslimane”, më 2013.

“Saied është një Sisi i ri, i cili dëshiron të marrë krejt autoritetin për vete. Ne do të ngrihemi kundër këtij grusht-shteti ndaj revolucionit”, është shprehur ai.