Botë

Në SHBA nis të rritet sërish numri i të infektuarve nga koronavirusi

Grafiku i rasteve të infektimit me koronavirusin në Shtetet e Bashkuara po rritet sërish pas disa muajsh rënieje. Numri i rasteve të reja në ditë është dyfishuar gjatë tri javëve të fundit, të nxitura nga përhapja e shpejtë e variantit Delta, pastaj nga niveli i ngadaltë i vaksinimit si dhe nga festimet masive më 4 korriku, Ditën e Pavarësisë së vendit.

Të hënën, u shënuan 23.600 raste të reja, krahasuar me 11.300 që ishin më 23 qershor, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Të gjitha shtetet amerikane, me përjashtim të Meinit dhe Dakotës së Jugut, raportuan se shifrat janë rritur gjatë dy javëve të fundit.

"Nuk është rastësi që jemi pikërisht në periudhën gjatë së cilës do të prisnim shfaqjen e rasteve gjatë fundjavës së 4 korrikut", tha Dr. Bill Powderly, drejtues në divizionin për sëmundjet ngjitëse në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Washington në St. Louis.

Në të njëjtën kohë, pjesë të Shteteve të Bashkuara po përballen me një rezistencë të thellë ndaj vaksinës, ndërsa një version tepër ngjitës i koronavirusit, i pikasur fillimisht në Indi, është përgjegjës për një rritje edhe më të madhe të infektimeve.

Në rang vendi, 55.6% e amerikanëve kanë bërë të paktën njërën dozë të vaksinës për COVID-19, sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Pesë shtetet me kërcimin më të madh dy-javor në rastet për frymë kishin normat më të ulëta të vaksinimit: Misuri, 45.9%; Arkansas, 43%; Nevada, 50.9%; Luiziana, 39.2%; dhe Juta, 49.5%.

Edhe me valën e fundit, rastet e infektimit në Shtetet e Bashkuara nuk janë aspak pranë kulmit të tyre prej një çerek milioni në ditë në muajin janar. Dhe vdekjet po qëndrojnë mesatarisht nën nivelin 260 në ditë, pasi kaluan në mbi 3.400 gjatë dimrit - një dëshmi kjo se me sa efektshmëri mund të parandalojë vaksina sëmundjen e rëndë dhe vdekjen e personave që infektohen.

Presidenti Joe Biden po shfrytëzon fuqinë e yjeve për përpjekjet e administratës për të vaksinuar të rinjtë. Aktorja, këngëtarja dhe kantautorja tetëmbëdhjetëvjeçare Olivia Rodrigo do të takohet me preidentin Biden dhe Dr. Anthony Faucin të mërkurën.

Ndërsa administrata ka pasur sukses në vaksinimin e amerikanëve të moshuar, të rinjtë kanë treguar më pak urgjencë për të bërë vaksinat.

Disa, të paktën, po e dëgjojnë thirrjen në Misuri pas disa javë lutjesh, tha Erik Frederick, shefi administrativ i spitalit Mercy Hospital Springfield. Ai shkroi në Twitter se numri i njerëzve që imunizohen në klinikën e tyre të vaksinimit është rritur nga 150 në 250 çdo ditë.

"Kjo më jep shpresë", tha ai. \ Voa