Botë

Kritikohet qasja “derë më derë “ e Bidenit për vaksinimin e amerikanëve

Descriptive Text

Shtëpia e Bardhë po kritikon ata që i shohin si përhapës të dezinformimit ose frikës në lidhje me dozat e vaksinave.

Kur guvernatori i Karolinës së Jugut, Henry McMaster, u përpoq këtë javë të bllokonte përpjekjet ‘derë më derë’ për të rritur shkallën e vaksinimit në shtetin e tij, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki reagoi gjatë fjalës së saj.

"Dështimi për të ofruar informacion të saktë të shëndetit publik, duke përfshirë efikasitetin e vaksinave dhe mundësinë e arritjes së tyre për njerëzit në të gjithë vendin, përfshirë Karolinën e Jugut, po vret njerëzit, kështu që mbase ata duhet ta marrin në konsideratë këtë," tha ajo.

Në muajt e parë të administratës, Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të kritikonte programet e vaksinimit të zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë, shkruan AP.

Ndryshimi vjen pasi disa zyrtarë të Partisë Republikane kritikuan Presidentin Joe Biden për thirrjen për një fushate derë më derë për të përhapur informacion në lidhje me sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave me shpresë se do të inkurajonte më shumë njerëz të vaksinohen.

"Tani ne kemi nevojë të shkojmë nga komuniteti në komunitet, lagje më lagje, dhe shumë herë, derë më derë - duke trokitur në dyer - për t’u ofruar ndihmë njerëzve që kanë mbetur" të cilët duhet të vaksinohen, tha Biden të martën.

Por disa republikanë kritikuan këtë deklaratë.

"Administrata e Bidenit dëshiron të trokasë në derën tuaj për të parë nëse jeni vaksinuar," shkroi republikani Jim Jordan. "Ç'pritet më tej? Të trokititet në derën tuaj për të parë nëse keni një armë? "

McMaster kërkoi që kjo strategji ‘derë më derë’ e Bidenit të mos përdoret.

"Vendimi i një karoliniani për t'u vaksinuar është një vendim personal për të dhe jo i qeverisë," shkroi McMaster. "Joshja, shtrëngimi, frikësimi, mandatimi ose presioni ndaj dikujt për të bërë vaksinën është një politikë e keqe e cila do të përkeqësojë besimin dhe përkushtimin e publikut në përpjekjet për vaksinim në SHBA".

Në Missouri, ndërkohë, Guvernatori Mike Parson shkroi në Tëitter: "Unë e kam urdhëruar departamentin tonë të shëndetit të njoftojë qeverinë federale se dërgimi i punonjësve të qeverisë ose agjentëve derë më derë për të detyruar vaksinimin NUK do të ishte një strategji efektive OSE një strategji e mirëpritur në Missouri”.

Gjatë javës, Prokurori i Përgjithshëm i Arizonës Mark Brnovich i dërgoi një letër Biden duke kundërshtuar strategjinë e re.

"Për ata individë, organizata që ushqejnë dezinformata dhe po përpiqen të keqkarakterizojnë këtë lloj pune të të dërguarve të besuar, unë besoj se ju po i bëni dëm vendit dhe mjekëve, udhëheqësve të besimit, udhëheqësve të komunitetit dhe të tjerëve që po punojnë për t’i vaksinuar njerëzit, të shpëtojnë jetë dhe ndihmojnë në përfundimin e kësaj pandemie”, ka thënë më pas koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për COVID-19, Jeff Zients.

Shprehja e zhgënjimit vjen mes mosbesimit të vazhdueshëm që dhjetëra miliona amerikanë vazhdojnë të refuzojnë të vaksinohen, duke zgjatur pa nevojë pandeminë, pasi zyrtarët shëndetësorë theksojnë se gati të gjitha rastet serioze dhe vdekjet tani janë të parandalueshme.

Psaki nga ana tjetër ka hedhur poshtë disa pretendime rreth programit të ‘trokitjes në derë’, duke thënë se në shumicën e rasteve këta të dërguar nëpër dyer nuk janë qeveritarë e zyrtarë, por se janë vullnetarë dhe zëra të besueshëm të komunitetit të cilët po luajnë rolin të shkojnë deri më derë.