Botë

Varianti Delta nxit kufizime të reja të udhëtimit nëpër Evropë

Descriptive Text

Duke nisur nga e hëna, britanikët e pavaksinuar që synojnë Portugalinë do të duhet që t’i nënshtrohen karantinimit të detyrueshëm për dy javë, sipas një urdhri të lëshuar nga Qeveria portugeze

Portugalia, Spanja dhe Gjermania kanë zbatuar kufizime të reja të udhëtimit në përpjekje për ta frenuar përhapjen e variantit Delta të koronavirusit, të identifikuar fillimisht në Indi, i cili po bartet me shpejtësi të madhe nëpër Evropë.

Duke nisur nga e hëna, britanikët e pavaksinuar që synojnë Portugalinë do të duhet që t’i nënshtrohen karantinimit të detyrueshëm për dy javë, sipas një urdhri të lëshuar nga Qeveria portugeze. Bazuar në rregullat e reja, çdokush që udhëton në Portugali nëpërmjet ajrit, tokës apo detit do të duhet të dëshmojë që është plotësisht i vaksinuar ose do të duhet të izolohet.

Masat e reja janë zbatuar, pasi që kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka kritikuar Portugalinë javën e shkuar se u lejoi turistëve britanikë që të udhëtojnë në vend midis mesit të majit dhe fillimit të qershorit, teksa varianti Delta po përhapej nëpër Mbretërinë e Bashkuar.

Portugalia u bë vendi i parë i Bashkimit Evropian që ka njoftuar se varianti Delta tani është dominuesi në territorin e tij.

Vendi ka raportuar gjatë ditëve të fundit numrin më të lartë të rasteve të reja të infektimnit me koronavirus që nga shkurti. Gjatë së hënës, numri i pacientëve të shtrirë nëpër spitale si pasojë e infektimit ka tejkaluar 500-shin për parën herë pas fillimprillit.

Kryeqyteti Lisbonë është një prej vatrave më të nxehta të epidemisë. Rajoni jugor Algarve, destinacion i njohur turistike i rrethuar me plazhe, ka ndaluar mësimin nëpër shkolla për të paktën 12 ditë, në përpjekje për ta thyer zinxhirin e përhapjes në pesë qytete.

Spanja ka zbatuar po ashtu kufizime të reja për udhëtarët britanikë. Qysh nga e marta, personat që mbërrijnë në vend nga Britania do të duhet që të dëshmojnë se janë tërësisht të imunizuar kundër COVID-19 apo të ofrojnë dëshmitë e testit negativ.

Gjermania ka shpallur kufizime për hyrjen në vend të udhëtarëve nga Portugalia dhe Rusia, pasi që Instituti “Robert Koch” i klasifikoi këto dy vende si “rajone me variante të ndryshme”.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë të shtunën se Gjermania duhet ta përshpejtojë fushatën e vaksinimit, pasi që varianti Delta po përhapet hovshëm nëpër Evropë. Qeveria është zotuar që të shpërndajnë 5 milionë doza nëpër qendrat e vaksinimit në gjithë vendit gjatë javës së parë të korrikut.

Gjetkë në Evropë, Franca ka njoftuar javën e shkuar se do ta përfshijë Rusinë në “listën e kuqe” të 21 vendeve që janë subjekt i kufizimit të udhëtimeve, shkaku i shqetësimeve rreth rritjes së numrit të të infektuarve.

Javën e shkuar, agjencia e BE-së për Kontrollimin e Sëmundjeve Ngjitëse ka paralajmëruar se varianti Delta mund të përbëjë 90 përqindëshin e infeksioneve të reja me koronavirus në Evropë, deri në fund të gushtit.

Ky variant tashmë është përhapur në të paktën 85 vende në mbarë botën. Është cilësuar të jetë rreth 40 deri në 60 për qind më i bartshëm sesa varianti Alpha, i identifikuar fillimisht në Britaninë e Madhe.

Me gjithë shqetësimet rreth variantit Delta, indikatorët e COVID-19 janë përmirësuar përgjatë gjithë Evropës gjatë javëve të fundit.

Shumë vende tanimë kanë hequr kufizimet, ndërkaq Spanja të shtunën ka shfuqizuar domosdoshmërinë e bartjes së maskave mbrojtëse në hapësirat e jashtme. Italia ka pasuar një veprim të tillë të hënën, pasi që i fundit rajon që ka qenë ende nën regjimin e orës policore ka shfuqizuar këtë masë.