Botë

Pasojat e mohimit të virusit

Gjatë javës së kaluar, të dhënat zyrtare treguan rreth 2 mijë të vdekur brenda 24 orëve në Brazil. Shifrat janë të frikshme. Ekspertët kanë tërhequr vërejtjen se numri i të vdekurve mund ta pasqyrojë fillimin e valës së tretë të pandemisë në shtetin latin

Teksa Brazili po shkon drejt numrit prej 500 mijë viktimave nga COVID-19 – shteti i dyti me më së shumti të vdekur në botë – shkenca është duke u gjykuar, teksa e vërteta është shumë larg prej pranimit.

Me shifrën e frikshme të të vdekurve që do të arrihet deri në fundjavë, Senati i Brazilit është duke hetuar se përse numri i të vdekurve është kaq i lartë, duke u përqendruar në faktin se qeveria ekstreme e presidentit Jair Bolsonaros refuzoi mundësinë që vaksinat t’i blinte shumë më herët teksa pa pushim bënte thirrje për përdorim të hidroksiklorokinës, ilaçin e malaries për të cilin studimet më rigoroze thanë se nuk ka asnjë efekt për trajtimin e COVID-19.

Nëpër televizione, presidenti ka përmendur shumë pretendime shkencore, ka akuzuar dhe ka gënjyer në secilin transmetim.

Skepticizmi është shtrirë deri në vetë numrin e të vdekurve, me Bolsonaron që ka argumentuar se numri zyrtar nga ministria e tij e Shëndetësisë është ekzagjeruar shumë dhe disa epidemiologë kanë thënë se shifra reale është dukshëm më e lartë – ndoshta qindra-mijëra herë më e lartë.

Doktori Abdel Latif, i cili mbikëqyr një njësi të kujdesit intensiv në afërsi të Sao Paulos, ka thënë se frika dhe dëshpërimi i shkaktuar nga koronavirusi janë shtuar nga keqinformimi dhe mendimet nga të vetëshpallurit “specialistë” si dhe nga mungesa e udhëzimeve të duhura nga qeveria.

“Ne kemi nevojë për politikë të vërtetë njerëzore të shëndetit publik, larg luftës politike dhe bazuar në shkencë dhe prova”, ka thënë ai.

Numri i raportuar i të vdekurve në Brazil është i dyti pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku numri i jetëve të humbura ka arritur në 600 mijë. Popullsia e Brazilit prej 213 milionë është sa dy të tretat e popullsisë së SHBA-së.

Gjatë javës së kaluar, të dhënat zyrtare treguan rreth 2 mijë të vdekur brenda 24 orëve në Brazil. Shifrat janë të frikshme. Ekspertët kanë tërhequr vërejtjen se numri i të vdekurve mund ta pasqyrojë fillimin e valës së tretë të pandemisë në shtetin latin.

Rrenat e presidentit

Image
Skepticizmi ndaj pandemisë është shtrirë deri në vetë numrin e të vdekurve, me presidentin Bolsonaro që ka argumentuar se numri zyrtar nga Ministria e tij e Shëndetësisë është ekzagjeruar shumë

Bolsonaro ka zhvilluar një fushatë 15-mujore për ta minimizuar seriozitetin e virusit dhe për ta mbajtur ekonominë duke u ulur. Në fillim koronavirusin e cilësoi si “grip” dhe nuk donte ta mbante maskën. Vazhdoi të bënte thirrje për përdorimin e hidroksiklorokinës shumë kohë pas pothuajse të tjerëve – përfshirë presidentin Donald Trump – që pushuan së bëri thirrje për përdorimin e saj.

Hiç më larg se të shtunën e kaluar, Bolsonaro mori duartrokitje të shumta kur para një turme tha se e përdori ilaçin pas infektimit.

“Të nesërmen u shërova”, ka thënë presidenti brazilian.

Ai e përkrahu aq shumë hidroksiklorokinën saqë i pari nga katër ministrat e tij të Shëndetësisë gjatë pandemisë u pushua nga puna dhe i dyti dha dorëheqje sepse refuzuan të miratonin ilaçin për përdorim të gjerë, kanë thënë ish-ministrat para Komitetit hetues të senatit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ndaloi testimin e ilaçit në qershorin e vitit 2020, duke thënë se të dhënat treguan se nuk uli vdekjet midis pacientëve të shtruar në spital. Në të njëjtin muaj, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave hoqi autorizimin për përdorim emergjent të ilaçit shkaku i provave në rritje se nuk ishte efektiv dhe mund të shkaktonte efekte të rënda anësore.

Sidoqoftë, krejt raportimet se ilaçet si hidroksiklorokina bën mirë ndaj COVID-19 është detyruar t’i hedhë poshtë Agjencia për kontrollin e fakteve “Aos Fatos”, ka thënë Tai Nalon, drejtor ekzekutiv i Agjencisë.

“Kjo nuk ndryshoi situatën, sepse ka mungesë të përgjegjësisë nga mjekët dhe autoritetet e tjera mjekësore që vazhdimisht kanë përhapur këtë lloj të dezinformimit si dhe nga qeveria e mbështeste”, ka thënë Nalon. “Në fakt, vetëm presidenti duhet të bëjë ndonjë përpjekje që këto lajme t’i bëjë më pak efektive”.

Në fakt, seancat dëgjimore në Senat, që filluan gjatë muajit prill, janë shndërruar në forum për duelet e dëshmive mes mjekëve që janë për dhe kundër hidroksiklorokinës. Ata krijuan atë që disa ekspertë kanë frikë se është një keqinterpretim se efekti i ilaçit është çështje e hapur për shkencën ndërkombëtare.

Një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë – i cili është pediatër – ka thënë në Senat se kishte një provë të efektivitetit të ilaçit. Ministria menjëherë ofroi udhëzimet për përdorim, pa përfunduar qartësisht rekomandimin. Kontrolluesit e fakteve e kritikuan fort, duke thënë se të dhënat e vetë ministrisë tregojnë se shpërndau miliona pilula në të gjithë vendin për trajtimin e COVID-19.

Beteja me keqinformimin

Një specialiste e kancerit dhe imunologe – që besohet se është këshilltare joformale e presidentit – ka dënuar demonizimin e ilaçit për të cilin ka thënë të ketë shpëtuar mijëra jetë. Mirëpo, kontrollorët e fakteve gjetën se ky qëndrim ishte i gabuar së bashku edhe me pretendimin e saj se Meksika ende po e përdorte ilaçin kundër COVID-19.

Mirëpo, ilaçi vazhdon të përmendet në të gjitha rrjetet sociale, përfshirë Facebookun dhe WhatsAppin. Rrenat rreth hidroksiklorokinës kanë vazhduar të qarkullojnë.

Presidenti Bolsonaro u ka thënë një turme mbështetësish më 7 qershor se numri i vërtetë i vdekjeve nga COVID-19 në vitin 2020 ishte vetëm rreth gjysma e numrit zyrtar të vdekjeve. Për këto shifra ai ka cituar një raport nga Gjykata kombëtare e kontabilitetit, që menjëherë mohoi publikimin e një raporti të tillë.

Presidenti u tërhoq, por ka përsëritur publikisht pretendimin e tij për mashtrim masiv në numrin e të vdekurve të paktën dy herë që nga ajo kohë.

Epidemiologët në Universitetin e Sao Paulos kanë thënë se numri i vërtetë i të vdekurve është afër 600 mijë, por mund të jetë 800 mijë. Senatorët që hetojnë mënyrën e trajtimit të krizës nga qeveria në fund të fundit shpresojnë të përcaktojnë numrin e saktë të vdekjeve që janë shmangur nga autoritetet.

Pedro Hallal, epidemiolog i cili drejton programin më të madh të vendit për testimin COVID-19, ka llogaritur se të paktën 95 mijë jetë do të ishin kursyer nëse qeveria nuk do t’i shfuqizonte ofertat e blerjes së vaksinave nga “Pfizer” dhe një institut i Sao Paulos që po shiste vaksinat e prodhuara nga Kina.

Kritika ndaj Qeverisë

Image
Presidenti Bolsonaro ka thënë ta ketë përdorur hidroksiklorokinën ndaj koronavirusit. “Të nesërmen u shërova”, ka thënë presidenti brazilian

Kur SHBA-ja regjistroi gjysmë milioni të vdekur nga COVID-19, presidenti Joe Biden mbajti një minutë heshtje në një ceremoni të ndezjes së qirinjve në Shtëpinë e Bardhë. Urdhëroi që për pesë ditë flamujt të uleshin në gjysmështizë. Qeveria e Bolsonaros në Brazil nuk e ka ndërmend një respekt të tillë për viktimat.

Ministria e Shëndetësisë po lavdërohet për 84 milionë dozat e administruara deri më tani. Numri përbëhet me vetëm dozat e para të shpërndara te njerëzit, pasi në përgjithësi vetëm 11 për qind e popullsisë së Brazilit është vaksinuar plotësisht.

Komiteti i Senatit do t’i ketë për cak të hetimeve të paktën 10 persona. Kjo mund të shpjerë deri te rekomandimi për ngritje të akuzave nga prokuroria. Lista përfshin edhe pediatrin, specialistin e kancerit, ministrin aktual të Shëndetësisë dhe paraardhësin e tij.

Nga ana e tij, Bolsonaro ka thënë që hetimi mund të përfundojë me arrestime.

Javën e kaluar, mikrobiologia Natalia Pasternak, e cila kryeson institutin Pyetja e Shkencës, organizatë jofitimprurëse që promovon përdorimin e provave shkencore në politikat publike, doli para Komitetit dhe dënoi “mohimin” e Qeverisë. Ajo u ankua se miti i hidroksiklorokinës nuk do të duket se do të vdesë.

“Në rastin e trishtuar të Brazilit është një gënjeshtër e orkestruar nga Qeveria federale dhe Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë ajo. “Dhe kjo gënjeshtër vret”.

Përktheu: Gent Mehmeti