Botë

Rruga e gjatë e Bidenit

Descriptive Text

Ani pse Joe Biden dhe Vladimir Putin deklaruan se bisedimet e së mërkurës në Gjenevë ishin konstruktive, retorika e rusit nuk ndryshoi. Refuzoi të pranonte përgjegjësi për ndërhyrjet në zgjedhjet ruse, kontrollin kibernetik dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë. Në përfundim të samitit, Bideni ka pranuar se nuk ishte i sigurt se Putini do të ndryshonte sjelljen e tij edhe nëse do të përballej me pasoja

Presidenti Joe Biden përfundoi udhëtimin e tij të parë jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vënë në pah shkëputjen e madhe nga paraardhësi i tij përçarës. Edhe një herë ka deklaruar se SHBA-ja dikur ishte një aleate e gatshme për të marrë drejtimin. Aleatët evropianë mirëpritën këtë qëndrim – madje edhe një armik i moçëm e pranoi.

Mirëpo teksa Bideni të mërkurën mbrëma u kthye në Washington pas një jave përtej Atlantikut, la prapa një përzierje mesazhesh dhe rezultatesh. Mbetën pyetje nëse aleatët e vjetër do të besonin se Bideni përnjëmend përfaqëson rikthimin afatgjatë ose nëse Vladimir Putini i Rusisë do të frenonte shtetin e tij nga sjelljet e gabuara.

Mantrën e tij, Bideni e përmendi në Gjenevë përballë Putinit, në Bruksel dhe në bregdetin e Cornwallit.

“Amerika është kthyer” e përmendte vazhdimisht. Prej krejt burrështetasve, ishte Putini që në fund të takimit e përcaktoi më së miri udhëtimin e parë të Bidenit si president.

“Presidenti Biden është një burrështetas me përvojë”, ka thënë Putini në konferencën për media. “Ai është shumë më ndryshe nga presidenti Trump”.

Mirëpo samiti me Putinin në Gjenevë, që la nën hije krejt udhëtimin e presidentit amerikan, shpërfaqi brishtësinë e deklaratave të Bidenit se rendi botëror është kthyer.

Stili i Putinit

Image
Prej krejt burrështetasve, ishte Putini që në fund të takimit e përcaktoi më së miri udhëtimin e parë të Bidenit si president. “Presidenti Biden është një burrështetas me përvojë”, ka thënë Putini në konferencën për media. “Ai është shumë më ndryshe nga presidenti Trump”

Ani pse dy burrështetasit deklaruan se bisedimet ishin konstruktive, retorika e Putinit nuk ndryshoi. Refuzoi të pranonte përgjegjësi për ndërhyrje në zgjedhjet ruse, kontrollin kibernetik dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë. Në përfundim të samitit, Bideni ka pranuar se nuk ishte i sigurt se Putini do të ndryshonte sjelljen e tij edhe nëse do të përballej me pasoja.

Samitet shumëpalëshe të Bidenit me demokracitë e tjera – G7-shja e shteteve më të pasura dhe me NATO-n – u përshkruan nga shenjat e lehtësimit që shfaqnin liderët evropianë të trazuar nga presidenti Donald Trump për katër vjet. Megjithatë, prapa dyerve të mbyllura, kishte mosmarrëveshje për mënyrën se si Perëndimi do të përballej me Rusinë dhe deklaratën e Bidenit se konkurrenca ekonomike me Kinën do të jetë përcaktuese e shekullit 21.

“Të gjithë në tryezë e kuptuan dhe e kuptojnë seriozitetin dhe sfidat kundër të cilave ne jemi, ashtu edhe përgjegjësinë e demokracive tona krenare që të rriten dhe të japin për pjesën tjetër të botës”, ka thënë Bideni të dielën nga brigjet angleze.

Si zëvendëspresident dhe kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit, Biden kishte shkelur globin për më shumë se katër dekada para se të largohej me “Air Force One” si president i SHBA-së. Ndalesa e tij fillestare, pas një fjalimi për të falënderuar trupat amerikane të vendosura në Angli, ishte për një mbledhje me udhëheqësit e tjerë të G7-s.

Udhëheqësit shprehën gatishmërinë e tyre për të nxjerrë botën nga pandemia dhe kriza e koronavirusit, duke premtuar më shumë se 1 miliard doza të vaksinave për shtetet e varfra. Premtuan se do të ndihmojnë në zhvillimin e shteteve teksa luftojnë krizën klimatike. Gjithashtu mbështetën një taksë minimale për kompanitë shumëkombëshe.

Në takimin e parë ballë për ballë të grupit pas dy vjetësh për shkak të pandemisë, udhëheqësit dhanë premtime për mbështetje për shëndetin global, energjinë e gjelbër, infrastrukturën dhe arsimin - të gjitha për të demonstruar se bashkëpunimi ndërkombëtar është kthyer pas përmbysjeve të shkaktuara nga pandemia dhe paparashikueshmëria e Trumpit. Megjithatë, kishte shqetësime se nuk ishte bërë mjaftueshëm për të luftuar krizën klimatike dhe se një miliard dozat nuk ishin të mjaftueshme për të përmbushur qëllimin e deklaruar për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19 globalisht deri në fund të vitit 2022.

Plani i Bidenit

Shtatë kombet u takuan në Cornwall dhe kryesisht i përmbaheshin shpresës së Bidenit që të mblidheshin së bashku për të deklaruar se do të ishin miq më të mirë për kombet më të varfra sesa rivalët autoritarë si Kina. Një plan masiv i infrastrukturës për botën në zhvillim, që synonte të konkurronte përpjekjet e Pekinit, u kundërshtua nga Kina e akuzuar për abuzimin e të drejtave të njeriut ndaj minoritetit mysliman të ujgurëve.

Mirëpo përsëri u përball me tensionet nga Gjermania, Italia dhe përfaqësues të tjerë të Bashkimit Evropian. Treshja ngurronte të dilte kundër Kinës, një partnere e vlefshme tregtare. Zëra nga kryeqytetet evropiane thoshin se Bideni, e jo Trumpi, ishte ai që devijoi politikën e jashtme amerikane dhe se SHBA-ja shumë shpejt do të bjerë në qasjen transaksionale.

Pas Cornwallit, loja u zhvendos në Bruksel. Shumë liderë u takuan përsëri në NATO. Biden shfrytëzoi momentin për të theksuar angazhimin e ripërtërirë të SHBA-së për aleancën me 30 vende që u formua si një mbrojtje e agresionit të Moskës, por shpesh e keqpërdorur nga paraardhësi i tij.

Ai gjithashtu ka konfirmuar angazhimin e SHBA-së për nenin 5 të statutit të aleancës, i cili thotë se një sulm - duke përfshirë, nga ky samit, disa sulme kibernetike - ndaj çdo anëtari është një sulm ndaj të gjitha shteteve dhe do të përballet me një përgjigje të përbashkët. Trumpi kishte refuzuar t’i përkushtohej paktit dhe kishte kërcënuar të tërhiqte SHBA-në nga aleanca.

“Nenin e Pestë e marrim si një detyrim të shenjtë”, ka thënë Bideni. “Unë dua që NATO-ja të dijë se Amerikën e ka përkrah”.

Problemet e brendshme

Image
Në përfundim të çdo dite, Bideni grumbullohej me ndihmësit, duke përfshirë sekretarin e Shtetit, Anthony Blinken, dhe këshilltarin e sigurimit kombëtar, Jake Sullivan, duke pritur me padurim ditën e ardhshme të takimeve

Kur “Air Force One” u kthye në Washington, Bideni përsëri u përball me një të ardhme të pasigurt për agjendën e tij legjislative. Ora po afronte në afatin e caktuar për të arritur një marrëveshje dypalëshe të infrastrukturës teksa Bideni u përball me rritjen e kundërshtimit të republikanëve dhe pakënaqësinë brenda partisë demokrate. Por Biden dhe ndihmësit e tij besojnë se arriti atë që kishte synim ta bënte në Evropë.

Më i prekshmi nga politikanët, Biden u shpreh i kënaqur me diplomacinë sy më sy, pasi ishte zhgënjyer duke u përpjekur të negocionte me udhëheqësit botërorë me videothirrje. Pavarësisht disa mosmarrëveshjeve, u prit ngrohtësisht nga shumica e kolegëve të tij, presidentë dhe kryeministra të tjerë të etur për t’u rrokur me grushte dhe bërryla dhe për të miratuar frazën e tij “ndërto përsëri më mirë”.

Në përfundim të çdo dite, Bideni grumbullohej me ndihmësit, duke përfshirë sekretarin e Shtetit, Anthony Blinken, dhe këshilltarin e sigurimit kombëtar, Jake Sullivan, duke pritur me padurim ditën e ardhshme të takimeve. Brenda një kohe ndihmësit hartonin programin për ritmin e presidentit 78-vjeçar. Ndihmësit plotësuan programin e tij me pak kohë për ritmin e presidentit 78-vjeçar, megjithëse bëri disa hapa të gabuar, përfshirë edhe momentin kur neglizhoi të përmendte marrëveshjen “Boeing-Airbus” para Këshillit Evropian.

Samiti i tij me Putinin, që erdhi tre vjet pasi Trumpi doli në krahun e liderit rus mbi agjencitë e inteligjencës amerikane kur dy burrështetasit u takuan në Helsinki. Ndihmësit donin të përballeshin me Putinin në fillim të presidencës, me shpresën për të frenuar Moskën dhe për të arritur njëfarë stabiliteti në mënyrë që administrata të përqendrohej më shumë ndaj Kinës.

Nuk kishte asnjë fishekzjarr në samitin e tyre pranë Alpeve zvicerane dhe shtetet ranë dakord të kthejnë ambasadorët në kryeqytetet e njëri-tjetrit dhe ndërmorën disa hapa të vegjël drejt stabilitetit strategjik.

Por teksa Bideni ishte në gjendje t’ia tërhiqte vërejtjen Putinit prapa dyerve të mbyllura, ai gjithashtu nxori disa premtime. Në vërejtjet e presidentit rus pas takimit të nivelit të lartë, ai u përfshi në keqinterpretimet klasike të Putinit për të zbritur pragun e lartë të cilësive morale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në konferencën e tij për shtyp në Gjenevë, Bideni qëndroi përballë një sfondi të përsosur të kartolinave të një liqeni, duke hequr xhaketën e kostumit ndërsa dielli rrihte nga pas, aq i ndritshëm sa gazetarët kishin probleme të shikonin drejtpërdrejt presidentin.

Edhe një herë, Bideni ka deklaruar se Amerika është kthyer, por e ka bërë të qartë se ishte e pamundur që menjëherë të dihej nëse është bërë ndonjë përparim me Rusinë.

“Ajo që do të ndryshojë sjelljen e Rusisë është nëse pjesa tjetër e botës reagon ndaj saj dhe kjo zvogëlon pozitën e saj në botë”, ka thënë Bideni. “Unë nuk jam i bindur për asgjë. Thjesht po përmend faktet”.

Përktheu: Gent Mehmeti