Botë

Samiti Biden–Putin: Pak pajtime e shumë ndasi

Me gjithë dakordimin për t’i rikthyer ambasadorët në postet e tyre në Washington dhe Moskë dhe planin për ta filluar punën drejt zëvendësimit të traktatit të fundit të mbetur mes dy vendeve për kufizimin e armëve bërthamore, të dy liderët kanë shfaqur qëndrime diametralisht të kundërta për problemet më të vështira në samitin që nisi disi sikletshëm dhe përfundoi goxha para kohe

Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai rus Vladimir Putin kanë përmbyllur të mërkurën samitin e tyre me një marrëveshje për t’i rikthyer ambasadorët në postet e tyre në Washington dhe Moskë, e me planin për ta filluar punën drejt zëvendësimit të traktatit të fundit të mbetur mes dy vendeve për kufizimin e armëve bërthamore. Por, të dy liderët kanë shfaqur qëndrime diametralisht të kundërta për problematikat e vështira, përfshirë sulmet kibernetike me origjinë nga Rusia.

Putini ka insistuar sërish se vendi i tij nuk kishte të bënte me sulmet e tilla, megjithëse Inteligjencia amerikane ka konstatuar të kundërtën. Bideni, nga ana tjetër, ka thënë se ia ka bërë të qartë Putinit që Rusia ka shkelur vija të caktuara të kuqe, për të cilat administrata e tij do të përgjigjet dhe “pasojat e së cilave do të jenë shkatërrimtare”.

A do të ndryshojë Bideni sjellje? Kjo pyetje i është shtruar Bidenit në konferencën për gazetarë pas samitit.

“Thashë se çfarë do ta ndryshojë sjelljen e tyre është nëse pjesa tjetër e botës reagon në mënyrën që e dobëson pozitën e tyre në botë”, është përgjigjur Bideni. “Nuk kam besim në ndonjë gjë. Thjesht po shpalos një fakt”.

Image

“Konstruktive... pa armiqësi... efikase”

Që të dy liderët, të cilët janë përballur me përshkallëzim të tensioneve qëkur Bideni ka marrë detyrën në janar, kanë sugjeruar se gjersa një humnerë e tërë ka mbetur mes dy vendeve, bisedimet kanë qenë konstruktive.

Putini ka thënë se “nuk ka pasur armiqësi” në bisedimet triorëshe, sesioni i dytë i të cilave është përmbledhur më herët sesa pritej.

Kur përfunduan, Putini ishte i pari që shpalosi rezultatet në një solo-konferencë për media, derisa Bideni e pasoi pak kohë më vonë. Presidenti amerikan ka thënë se dyshja ka kaluar “goxha kohë të gjatë” në diskutimet rreth sigurisë kibernetike, teksa ka shtuar se beson që Putini e ka kuptuar qëndrimin amerikan.

“Ia kam bërë të qartë se kemi goxha kapacitete kibernetike”, ka thënë Bideni. “Në fakt, (nëse) ata i shkelin normat themelore, ne përgjigjemi... Mendoj se gjëja e fundit që ai dëshiron tani është një luftë e ftohtë”.

Putini ka specifikuar se Bideni e ka ngritur çështjen e të drejtave të njeriut, përfshirë fatin e liderit opozitar Alexei Navalny. Ai ka mbrojtur burgosjen e Navalnyt, teksa i ka shmangur pyetjet e vazhdueshme rreth keqtrajtimit të liderëve opozitarë rusë, duke i vënë në pah telashet e brendshme të SHBA-së, përfshirë protestat e lëvizjes Black Lives Matter dhe kryengritjen e 6 janarit në Capitol.

Gjatë adresimit të tij rreth njëorësh para gazetarëve, rusi ka cekur se Bideni kishte përsëritur një këshillë të mençur që nëna e tij ia kishte dhënë – një mesazh ky për të cilin Putin ka thënë se mund të mos ketë qenë plotësisht relevant për samitin porse ka dëshmuar për “vlerat morale” të amerikanit. Megjithëkëtë, ai ka ngritur dyshime se marrëdhënia ruse-amerikane do të mund të kthehej së shpejti në njëfarë ekuilibri të viteve të shkuara. Porse ka shtuar se Bideni është një person me të cilin mund të punohet.

“Takimi në fakt ishte shumë efikas”, ka thënë Putini. “Ishte përmbajtjesor, ishte specifik. Kishte për synim arritjen e rezultateve dhe njëri prej tyre ishte që të avancohen kufijtë e besimit”.

Ka thënë gjithashtu se ai dhe Bideni janë dakorduar që t’i fillojnë bisedimet bërthamore për zëvendësimin potencial të traktatit “Starti i ri” rreth kufizimit të numrit të armëve bërthamore, afati i të cilit skadon më 2026.

Washingtoni ka braktisur bisedimet me Moskën më 2014, në kundërpërgjigje ndaj aneksimit të Krimesë nga Ukraina dhe intervenimit ushtarak në mbështetje të separatistëve në lindje të këtij vendi. Bisedimet kanë vazhduar më 2017, por kanë shënuar përparim të paktë dhe nuk kanë prodhuar një marrëveshje për zgjatjen e afatit, pas tërheqjes amerikane nga administrata e Donald Trumpit.

Presidenti rus ka thënë se është dakorduar gjithashtu që ambasadorët e të dy vendeve të kthehen në postet e tyre. Ata ishin thirrur për konsultime në një veprim të dyanshëm, pas ftohjes së marrëdhënieve Washington-Moskë gjatë muajve të fundit.

Ambasadori rus në SHBA, Anatoly Antonov, ishte thirrur për konsultime rreth tre muaj më parë, në kohën kur Bideni e kishte quajtur Putinin vrasës; ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan, braktisi Moskën rreth dy muaj më parë, pasi Rusia e sugjeroi kthimin e tij në Washington për konsultime. Putini ka thënë se pritet që ata të kthehen në detyra gjatë ditëve në vijim.

Image

Fillimi i sikletshëm

Takimi në një dhomë të mbushur me libra e kishte një fillim disi të sikletshëm – të dy burrat i janë shmangur kontaktit sy më sy gjatë sesionit të shkurtër dhe kaotik për fotografim, para uljes në tryezë të bisedimeve.

Bideni tundi kokën kur një gazetar e pyeti nëse Putinit vlen t’i besohet, porse Shtëpia e Bardhë shumë shpejt ka postuar një mesazh në Twitter, duke pretenduar se presidenti “shumë qartë nuk po i përgjigjej ndonjë pyetjeje, porse po e tundte kokën në përgjithësi para gazetarëve”.

Gjuha e tyre e trupit, të paktën në momentet e pakta bashkë para kamerave, nuk ishte aq e vakët.

Dyshja shtrëngoi duart – Bideni e zgjati dorën i pari dhe buzëqeshi para liderit stoik rus – pasi presidenti zviceran Guy Parmelin i mirëpriti në Gjenevë për samit. Kur ishin para kamerave disa minuta më vonë – kësaj radhe në brendi të godinës grandioze buzë liqenit ku samiti u mbajt – ata dukej se shmangnin kontaktin me sy.

Për muaj të tërë, Bideni dhe Putini kanë shkëmbyer retorikë të ashpër. Bideni vazhdimisht ka qortuar Putinin për sulmet kibernetike të ndërmarra nga hakerët me seli në Rusi ndaj interesave amerikane, për burgosjen e liderit të shquar opozitar rus dhe për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane.

Putin ka reaguar me kundërakuza dhe mohime – duke aluduar se kryengritja e 6 janarit në Capitol ishte shembull se SHBA-ja nuk mund t’i mbante ligjërata për normat demokratike dhe duke insistuar se Qeveria ruse nuk ka qenë e përfshirë as në ndërhyrjet zgjedhore dhe as në sulmet kibernetike.

Para samitit të së mërkurës, që të dy shprehën pritje të pakta.

Megjithëkëtë, Bideni ka thënë se do të ishte hap i rëndësishëm nëse SHBA-ja dhe Rusia do t’ia dilnin që më në fund të gjenin “stabilitet dhe parashikueshmëri” në marrëdhëniet e tyre.

Bideni vazhdimisht ka thënë se beson në bagazhin e tij në politikat e jashtme, i cili buron nga angazhimi i gjatë në politikë, gjatë së cilës ka pasur takime me liderë të vështirë, përfshirë Recep Tayyip Erdoganin e Turqisë, që e takoi pak ditë më parë.

Por, me Putinin, për të cilin dikur ka thënë se “nuk ka shpirt”, kaherë ka qenë syçelë. Në të njëjtën kokë ka pranuar se Putini nuk është pa talent.

“Është i zgjuar. Është i ashpër”, ka thënë ai në fillim të javës. “Dhe kam zbuluar se ai është një – le të themi... kundërshtar i denjë”.

Përktheu: Nita Lleshi