Botë

10 qytetet më të mira dhe më të këqija për të jetuar

Zelanda e Re është lavdëruar gjithandej për politikat e suksesshme të ndaljes së COVID-19, teksa qyteti i Aucklandit është renditur i pari në listën e Indeksit Global të Jetesës të revistës “Economist”, nga mesi i 140 qyteteve në të gjithë botën. Këtë sukses qyteti e ka arritur, sipas CNN-së, falë suksesit në kontrollin e shpejtë të pandemisë, në atë që ka mundësuar heqjen e hershme të masave kufizuese ndaj sëmundjes

Washington, 10 qershor (CNN) – Ndikimi i pandemisë COVID-19 në kushtet jetësore kudo në botë ka qenë absolutisht shkatërrues.

Teksa ka kaluar më shumë se një vit që nga fillimi i pandemisë, krizat e vazhdueshme shëndetësore, mbylljet e kufijve dhe izolimet po vazhdojnë që t’i godasin me miliona njerëz në gjithë globin. Megjithëkëtë, disa destinacione kanë kaluar shumë më mirë se disa të tjera në menaxhimin e virusit, në atë që nënkupton se kushdo që jeton në këto vende ka qenë në gjendje që t’i rikthehet një lloj jetese normale dukshëm më herët.

Me këtë hyrje, agjencia amerikane e lajmeve CNN ka nisur shkrimin mbi përzgjedhjen e vendeve me kushtet më të mira të jetesës në botë gjatë vitit të mbërthyer nga pandemia.

Dhe në krye të kësaj liste të porsapublikuar figuron një prej qyteteve të vendit që është konsideruar “kampion” në frenimin e pandemisë.

Zelanda e Re është lavdëruar gjithandej për politikat e suksesshme të ndaljes së COVID-19, teksa qyteti i Aucklandit është renditur i pari në listën e Indeksit Global të Jetesës të revistës “Economist”, nga mesi i 140 qyteteve në të gjithë botën. Këtë sukses qyteti e ka arritur, sipas CNN-së, falë suksesit në kontrollin e shpejtë të pandemisë, në atë që ka mundësuar heqjen e hershme të masave kufizuese ndaj sëmundjes.

Përveç Aucklandit, edhe kryeqyteti i Zelandës së Re, Wellingtoni, ka figuruar lart në listën e përvitshme të vendeve me kushtet më të mira të jetesës. Është renditur si i katërti.

Adelaide është renditur si i treti, Perthi i gjashti dhe Brisbani i dhjeti, përderisa Melbourne dhe Gjeneva e Zvicrës kanë ndarë vendin e tetë. Ndërkaq Vjena, kampione e viteve 2018 dhe 2019, sivjet ka rënë prej top 10-shes, pasi që ka qenë e goditur rëndë nga COVID-19, dhe është renditur si qyteti i 12-të me kushtet më të mira të jetesës.

"Qytetet që janë ngritur në krye të renditjes këtë vit janë kryesisht ato që kanë marrë masa të rrepta për t’u mbrojtur nga pandemia?”, ka thënë për CNN Upasana Dutt, nga “The Economist Intelligence Unit”. “Izolimi i ashpër në Zelandën e Re ka lejuar që shoqëria aty të rihapet dhe u ka mundësuar qytetarëve të Aucklandit dhe Wellingtonit që ta shijojnë një mënyrë jetese që dukej e ngjashme me atë të para pandemisë”.

Image
Osaka e Japonisë, e dyta në listën e “The Economist”

Në anën tjetër, Tokio nuk ishte i vetmi qytet japonez që ka figuruar lart në listë. Osaka, e cila ishte renditur si e katërta në listën e 2019-s, sivjet është ngritur në pozitën e dytë.

Në përgjithësi, mesatarja globale e kushteve të jetës sivjet ka shënuar rënie prej shtatë pikësh krahasuar me të dhënat para shpërthimit të COVID-19.

Në përpilimin e listës së përvitshme, Indeksi i merr parasysh më shumë se 30 faktorë cilësie dhe kuantiteti nga mesi i pesë kategorive më të gjera: stabilitetin(25 për qind), përkujdesja shëndetësore (20 për qind), kulturë dhe mjedis (25 për qind), arsim (10 për qind) dhe infrastrukturë (20 për qind).

Në Evropë, Gjermania ka shënuar rënien më të thellë në rangim, veçmas qyteti i Hamburgut që ka rënë për 34 vende, për t’u renditur i 47-ti në listë.

Përderisa janë shënuar ndryshime të theksueshme në krye të listës, pak çka ka ndryshuar në fundin e saj.

Damasku i Sirisë është renditur sërish në fund të listës, “si pasojë e ndikimeve të luftës civile në vazhdim. Lagosi i Nigerit, Port Moresbyi i Papau Guinesë së Re dhe Daka e Bangladeshit kanë figuruar që të gjitha në të njëjtat apo pozitat e ngjashme krahasuar me 2019-n.

Krejt këto qytete, sipas CNN-it, kanë performuar vazhdimisht keq gjatë viteve, si rrjedhojë e jostabilitetit të shkaktuar nga trazirat civile dhe konfliktet ushtarake.

Sipas raportit, kushtet në këto qytete janë përkeqësuar edhe më shumë gjatë 12 muajve të fundit, sidomos kur bëhet fjalë për gjendjen me shëndetësinë si rrjedhojë e COVID-19.

Listën e sivjetme “The Economist” e ka përpiluar pas një pauze njëvjeçare më 2020, si pasojë e pandemisë.

10-shja e qyteteve me kushtet më të mira të jetesës

1. Aucklandi, Zelandë e Re

2. Osaka, Japoni

3. Adelaide, Australi

4. Wellington, Zelandë e Re

4. Tokio, Japoni

6. Perth, Australi

7. Cyrihu, Zvicër

8. Gjeneva, Zvicër

8. Melbourne, Australi

10. Brisbani, Australi

Dhjetë qytetet me kushtet më të këqija për jetesë

1. Damasku, Siri

2. Lagosi, Nigeri

3. Port Moresby, Papua Guineja e Re

4. Daka, Bangladesh

5. Algjeri, Algjeri

6. Tripoli, Libi

7. Karachi, Pakistan

8. Harare, Zimbabve

9. Douala, Kamerun

10. Karakasi, Venezuelë