Botë

SHBA-ja do t’u dhurojë shteteve të varfra 500 milionë doza të Pfizerit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të blejnë 500 milionë doza të vaksinës Pfizer për t’ua shpërndarë 92 shteteve të varfra përmes programit COVAX.

Presidenti amerikan, Joe Biden, thuhet se do të bëjë publik planin të enjten, në një fjalim para fillimit të Samitit G7 që do të mbahet në Londër nga 11-13 qershor.

Sipas burimeve të Associated Press, 200 milionë doza, që janë të mjaftueshme për të mbrojtur 100 milionë njerëz, do të shpërndahen këtë vit, ndërkohë që pjesa e mbetur prej 300 milionë dozash do të shpërndahet në vitin 2022.

Ky informacion është dhënë në kushte anonimiteti ndërkaq për herë të parë është publikuar në Washington Post. Informacioni është publikuar pak ditë pasi Shtëpia e Bardhë kishte bërë të ditur planin për të ndihmuar botën me vaksina.