Botë

Suksesi i New Englandit në pandemi, shpresë për të tjerët

Massachusetts dhe pjesa tjetër e New Englandit - rajoni më i vaksinuar në SHBA - po i japin pjesës tjetër të vendit shpresë për të ardhmen, në qoftë se amerikanët vazhdojnë të vaksinohen. Rastet me COVID-19, hospitalizimet dhe vdekjet në rajon kanë rënë vazhdimisht, pasi më shumë se 60 për qind e banorëve në të gjashtë shtetet kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës

Për dr. Jeremy Faust, momenti kur kuptoi që pandemia nuk mbizotëronte më, ishte fundjava e Ditës së Përkujtimeve. Pa një rast të vetëm të koronavirusit gjatë dy ndërrimeve në sallën e emergjencës në Spitalin e Brigamit në Boston.

Kerry LaBarbera, infermiere në Qendrën Mjekësore të Bostonit, kishte vërejtur të njëjtën gjë atë fundjavë, kur vetëm dy pacientë me COVID-19 erdhën në repartin e saj, një nga më të ngarkuarit në New England.

“Viti i kaluar ka qenë si të përjetosh tornado ose diçka të tmerrshme”, ka thënë ajo. “Mundoheni shumë për të shpëtuar jetë dhe pastaj dështoni dhe pyesni veten: ‘Çfarë ndodhi?’”.

Massachusetts dhe pjesa tjetër e New Englandit - rajoni më i vaksinuar në SHBA - po i japin pjesës tjetër të vendit shpresë për të ardhmen, po qe se amerikanët vazhdojnë të vaksinohen. Rastet me COVID-19, hospitalizimet dhe vdekjet në rajon kanë rënë vazhdimisht, pasi më shumë se 60 për qind e banorëve në të gjashtë shtetet kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.

Kurse shtetet e jugut të thellë të Alabamas, Louisianas dhe Mississippit, janë më pak të vaksinuarat me rreth 35 për qind dhe numri i rasteve të reja është në përgjithësi më i larti, sesa në New England. Në shkallë kombëtare, rreth 50 për qind e amerikanëve kanë marrë të paktën një dozë.

Në Massachusetts, zyrtarët shëndetësorë vendosën javën e kaluar se asnjë nga qytetet dhe qytezat e shtetit nuk janë në rrezik të lartë për përhapjen e COVID-19, për herë të parë që kur filluan të lëshonin vlerësime javore gushtin e kaluar.

Rënia e rasteve fatale

Në ishullin Rhode, hospitalizimet shkaku i koronavirusit kanë arritur nivelin më të ulët në rreth tetë muaj. Në New Hampshire mesatarisht një person vdes në javë, kurse gjatë kulmit të pandemisë në dimër kishte 12 raste në ditë. Kurse në Vermont, shteti më i vaksinuar në SHBA, me më shumë se 70 për qind, ka më shumë se dy javë që nuk është raportuar asnjë rast vdekjeje nga koronavirusi.

Ekspertët e shëndetit publik thonë se pjesa tjetër e vendit mund të ndjekë shembullin e Anglisë së Re, përderisa presidenti Joe Biden po mundohet që 70 për qind e të rriturve amerikanë të marrin të paktën një dozë vaksine deri më 4 korrik.

Një gjë që rajoni duket të ketë bërë si duhet: Ishte zakonisht më i ngadaltë se pjesët e tjera të vendit për të zgjeruar pranueshmërinë e vaksinave dhe në vend të kësaj u përqendrua te grupet më të ndjeshme të njerëzve, ka thënë dr. Thomas Frieden, ish-drejtor i Qendrave për Parandalim dhe Kontrollim të Sëmundjeve.

Udhëheqësit e New Englandit gjithashtu pranuan rekomandimet e ekspertëve të shëndetit publik për përparësitë ekonomike gjatë gjithë pandemisë, ka thënë dr. Albert Ko, që është në krye të departamentit të epidemiologjisë në Shkollën e Shëndetit Publik të Yalet në New Haven, Connecticut.

Ndikimi klimatik dhe i masave

Mirëpo përmirësimet në shifrat e COVID-19 mund t'i atribuohen motit më të ngrohtë, që po ua mundëson banorëve të New Englandit që të shoqërohen në distancë në ambiente të hapura, kanë thënë ekspertët.

Shtetet si Kalifornia dhe Nebraska janë në gjendje të mirë sikurse New Enland, kur bëhet fjalë për rastet e reja në krahasim me numrin e banorëve.

Në një seri shkrimesh në Twitter fundjavën e kaluar, dr. Ashish Jha, dekan i Shkollës së Shëndetit Publik të Universitetit Brown në Providence, Ishulli Rhode, kundërshtoi nivelet relativisht të ulëta të vaksinimit në Springfield, Massachusetts, një nga qytetet më të mëdha dhe më të varfra të rajonit, kurse qyteti i Newtonit pothuajse është vaksinuar plotësisht.

“Pra, nëse ka shifra të larta vaksinimi në një shtet, puna juaj nuk ka marrë fund këtu”, ka shkruar Jha. “Sepse në të gjithë Amerikën ka shumë njerëz dhe komunitete për të cilët nuk ka vaksina”.

Në mbarë vendin rastet e reja të koronavirusit janë mesatarisht rreth 15.000 në ditë, ndërsa vdekjet kanë rënë në rreth 430 në ditë - nivele që nuk janë parë që nga fundi i marsit të 2020-s, gjatë fazës së parë të pandemisë.

Kthimi i “normalitetit”

Ndonëse rastet kanë rënë në mënyrë dramatike, spitalet e New Englandit janë shumë më të ngarkuara se më parë, pasi pacientët i kanë shtyrë vizitat mjekësore për më shumë se një vit.

Dr. Katherine Gergen Barnett, që është në krye të departamentit të mjekësisë familjare në Qendrën Mjekësore të Bostonit, ka thënë se ka qenë ndjenjë e mirë ribashkimi me pacientët e rregullt, por edhe e vështirë, pasi shumë prej tyre janë të traumatizuar që një vit, për t’iu përkushtuar sëmundjeve fizike të lëna anash.

Paul Murphy, infermier i departamentit të emergjencës në Spitalin e Brighamit dhe Grave, ka thënë se disa prej kolegëve të tij janë lodhur pasi pacientët e irrituar mund të përballen me orë të gjata pritjeje këto ditë. Një zëdhënës i spitalit ka theksuar se koha mesatare e pritjes është një orë ose më pak.

Faust, mjek i emergjencës në Brigham, ka thënë se ka fjetur rehat së fundmi, diçka që nuk mund ta kishte ëndërruar gjatë kulmit të pandemisë.

Por sikurse ekspertët e tjerë shëndetësorë, edhe ai shqetësohet se ngadalësimi i ritmit të vaksinimeve mund të ndikojë që vendi të rrezikohet nga mutacionet më të reja dhe më të forta të virusit.

“Ne po luajmë me zjarr, nëse vazhdojmë të lejojmë që virusi të infektojë kaq shumë njerëz", ka thënë Faust.

Përktheu: Liridona Bytyçi