Botë

Koalicioni i brishtë anti-Netanyahu nis betejën për betim

Descriptive Text

Procesi për t’i siguruar votat e duhura në Parlament dhe për ta mundësuar betimin e Qeverisë së re izraelite me opozitën e tanishme në krye mund të zgjasë për dy javë apo më shumë, teksa koalicioni vazhdon të jetë i cenueshëm. Kjo, ngase është i ndërtuar mbi gërshetimin e rivalëve ideologjikisht të kundërt, përfshirë nacionalistët fetarë hebraikë dhe islamikët arabë, të cilët i mban të bashkuar vetëm dëshira e përbashkët për rrëzimin e Netanyahut

Në vendosmërinë për ta rrëzuar Benjamin Netanyahun nga posti, politikanët opozitarë në Izrael kanë nisur të enjten betejën e përshpejtuar për formimin e Qeverisë, teksa kryeministri më jetëgjatë në vend ka mbledhur aleatët për takim emergjent rreth përcaktimit të strategjisë që do ta bllokonte jetësimin e koalicionit të brishtë.

Një ditë pasi që shefi i opozitës, Yair Lapid, njoftoi se ai dhe Naftali Bennett – partneri i tij nga e djathta ekstreme dhe kryeministri në pritje – mund ta formojnë “një qeveri të ndryshimit”, ka nisur gara e ashpër për t’i siguruar votat e duhura në Parlament dhe për ta mundësuar betimin.

Procesi mund të zgjasë për dy javë apo më shumë, teksa koalicioni vazhdon të jetë i cenueshëm.

Kjo, ngase është i ndërtuar mbi gërshetimin e rivalëve ideologjikisht të kundërt, përfshirë nacionalistët fetarë hebraikë dhe islamikët arabë, të cilët i mban të bashkuar dëshira e përbashkët për rrëzimin e Netanyahut.

Të enjten opozita ka thelluar përpjekjet për ta bindur kryetarin e Knessetit, Parlamentit të Izraelit, që ta caktojë një datë për votimin e Qeverisë së propozuar. Megjithëkëtë, kryetari Yariv Levin është anëtar i partisë Likud të Netanyahut dhe ka autoritet për ta shtyrë procesin, duke i ofruar shefit të tij më shumë kohë për manovrim.

Në deklarimin e parë që kur Lapidi e shpalli koalicionin e propozuar, Netanyahu ka shkruar në Twitter se të gjithë ligjvënësit djathtistë “duhet ta kundërshtojnë këtë qeveri të rrezikshme majtiste”. Ai ka akuzuar administratën Lapid-Bennett se “u është shitur” politikanëve të pakicës arabe të vendit.

Koalicioni opozitar gëzon shumicën skajshmërisht të ngushtë prej 61 vendesh në Knessetin 120-anëtarësh, në atë që nënkupton se edhe lëkundja e vetëm një ligjvënësi mund ta rrënojë atë.

Një anëtar i partisë Yamina të Bennettit veçse ka braktisur radhët në fillim të javës, pas protestës mes përkrahësve të vijës së sertë lidhur me bashkimin e Bennettit me partitë “majtiste” dhe ligjvënësit arabë.

Gjatë disa ditësh protesta para shtëpisë së Bennettit, mbështetësit e dikurshëm e quajtën tradhtar. Shërbimi i brendshëm i Inteligjencës, Shin Bet, ka njoftuar të enjten se i ka siguruar truproja.

Ndërkohë, zërat nga radhët e partisë së Netanyahut e kanë rritur presionin. Gilad Sharon, i biri i kryeministrit të ndjerë nga radhët e Likudit, Ariel Sharon, ka akuzuar Bennettin të enjten se “i ka shitur parimet e tij, të cilat u dëshmuan të jenë tejet fleksibile, në emër të një posti”.

Në një rast të parë për Izraelin, ku përafërsisht një e pesta e popullatës është palestineze, një parti e vogël islamike është bërë pjesë e Qeverisë. Lideri i Listës së Bashkuar Arabe, Mansour Abbas, shihet si pragmatist. Shpreson të sigurojë investime për pakicën dhe t’i japë fund rrënimit të shtëpive të komunitetit arab.

Gjatë një deklarimin për Radion Ushtarake, Abbas ka thënë të enjten se shpreson që ligjvënësit arabë, që e duan largimin e Netanyahut por që nuk e mbështesin as Bennettin, do t’ia japin përkrahjen qeverisë së propozuar.

“Janë duke u bërë përpjekje për zgjerimin e qarkut të përkrahjes për koalicionin dhe qeverinë... mandej do të bëjmë më tepër për sa i përket rrjetit të sigurisë për koalicionin”, ka thënë ai.

Netanyahu, i cili ka ushtruar poste të larta politike për më shumë se 15 vjet që nga 1996-a, ka mbledhur aleatët në rezidencën e tij. Ai po përballet me rrezik politik, por edhe me kërcënimet potenciale për lirinë e tij.

71-vjeçari po sfidohet nga tri raste të ndara gjyqësore për korrupsion, për mashtrime, ryshfet dhe shkelje të besimit, akuza këto që ai i hedh poshtë. Nëse do të përfundojë në opozitë, atëherë do t’i hiqej imuniteti parlamentar, ndërsa Qeveria e re do të mund ta kalonte edhe ligjin që ia ndalon mbajtjen e ndonjë posti zyrtar në të ardhmen.

Në dëshpërimin për ta shmangur një skenar të tillë, ai ka zgjedhur të trokasë në derën e një rivali. Abbas ka thënë se Netanyahu e kishte telefonuar të mërkurën vonë, para se ai ta nënshkruante marrëveshjen e koalicionit me opozitën. Pretendon se synimi i Netanyahut ishte që t’ia ndryshonte mendimin.

“Mendoj se është më se e natyrshme që të ketë bisedime dhe presione në politikë”, ka theksuar Abbas.