Botë

Protestat në Shkup kundër gjuhës shqipe, presion Gruevskit që të mos ia ndajë mandatin Zaevin

Njohësit e çështjeve politike thonë se protestat kundër përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe krijojnë presion ndaj presidentit të Maqedonisë që të mos ia ndajë mandatin Zoran Zaevit, i cili tanimë ka deponuar dhe nënshkrimet e 67 deputetëve si garanci për sigurimin e shumicës parlamentare.

Iniciativa Qytetare në përkrahje të VMRO DPMNE-së ka paralajmëruar protesta edhe të martën, për të tretën ditë me radhë në Shkup dhe në disa qytete të Maqedonisë kundër koalicionit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë me partitë politike shqiptare, pasi paraprakisht është arritur ujdi për ligjin që mundëson një shtrirje më të gjerë të shqipes në tërë territorin e Maqedonisë.

Protestuesit, të cilët gjatë protestave të dy ditëve të kaluara, kanë lëshuar thirrje të shumta antishqiptare thonë se ‘marshi’ siç e kanë quajtur kundër gjuhës shqipe ka të bëjë me ruajtjen e shtetit unitar duke mbajtur në duar pankarta “një shtet, një gjuhë dhe një Maqedoni”.

“Shqiptarët në Maqedoni kanë shkolla në gjuhën shqipe madje kanë dhe fakultete në gjuhën shqipe. Çka kërkojnë më shumë? Të na e marrin tërë shtetin në duar, duke vendosur shqipen edhe në kartëmonedhat apo uniformat e pjesëtarëve të sigurisë? Këtë nuk do ta lejojmë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Valentina Simoneska, protestuese.

“Shqiptarët përderisa jetojnë në Maqedoni do të duhet ta mësojnë mirë gjuhën maqedonase nëse dëshirojnë të komunikojnë me institucionet dhe jo institucionet t’i detyrojnë të flasin shqip. Kështu ka qenë dhe kështu duhet të mbetet”, thotë Nikolla, pensionist i cili kishte dalë për të protestuar.

Por, për Mitko Gaxhovskin, analist politik, ‘nxitja e protestave për kinse mbrojtje të interesave shtetërore të Maqedonisë, synon të pengojë bartjen e qetë të pushtetit, nën kërcënimin se do të ketë trazira”.

“Me përshkallëzimin eventual të situatës së sigurisë, nga revolta e qytetarëve në protesta, synohet të pengohet procesi i formimit të qeverisë së re të Maqedonisë dhe funksionimi normal i institucioneve të shtetit, sepse tanimë është e qartë se një pjesë e pushtetarëve do të duhet të përballen me drejtësinë”, thotë Gaxhovski për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, thotë se në Maqedoni për herë të parë cenohet bartja e qetë e pushtetit, duke imponuar nevojën e formimit të një koalicioni të gjerë që VMRO DPMNE e ish kryeministrit Nikolla Gruevski të mos shkojë në opozitë.

“Ish kryeministri Nikolla Gruevski, duke i ofruar koalicion kundër shqiptarëve, drejtuesit të Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev, ka për qëllim që të imponojë një koalicion të zgjeruar, pjesë e të cilit do të jetë dhe VMRO-DPMNE, të cilën e drejton. Në fakt ai [Gruevski] nuk dëshiron të mbetet jashtë pushtetit, nuk dëshiron që VMRO DPMNE të shkojë në opozitë sepse do të humb në tërësi kontrollin ndaj institucioneve të shtetit, i cili kontroll i ka garantuar paprekshmëri në raport me hetimet që po bën Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë”, thotë Neziri.

Për formimin sa më parë të qeverisë së re të Maqedonisë dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të cilat do të angazhohen në realizimin e reformave në sistemin e drejtësisë në formë të drejtë për drejtë kanë bërë thirrje dhe NATO dhe BE.