Botë

Sherri i variantit indian, shkencëtarët kërkojnë përshpejtimin e vaksinimit në Britaninë e Madhe

Shkencëtarët kanë thelluar të martën presionin ndaj Qeverisë në Londër për përshpejtimin e procesit të administrimit të dozave të dyta të vaksinave kundër COVID-19. Ata njëherësh kanë bërë thirrje që të shtyhet vendimi për lehtësimin e masave në Angli më 21 qershor, me qëllim të parandalimit të shpërthimit të rasteve të reja të infektimit me të ashtuquajturin variant indian të koronavirusit.

Të dhënat e fundit kanë treguar se ky variant po e vazhdon fluksin e përhapjes në Angli dhe po gjeneron rritje të rasteve. Besohet se bartet më lehtë dhe u reziston më shumë vaksinave, posaçërisht pas dozës së parë. Gjendja aktuale ka shtyrë shkencëtarët që të tërheqin vërejtjen për një valë të tretë të mundshme të pandemisë, pavarësisht vaksinimit masiv.

Asociacioni britanik i Mjekëve i ka bërë thirrje kryeministrit, Boris Johnson, që të vendosë masa bazuar “në të dhëna, dhe jo datat”, dhe se Qeveria nuk duhet ta japë dritën jeshile për hapje derisa të mos vërtetohen shkencërisht të dhënat e fundit.