Botë

Blinken premton mbështetje për Gazën dhe shmangien e kthimit në luftë

Descriptive Text

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është zotuar për mbështetjen e Washingtonit në rindërtimin e Gazës gjatë misionit të tij për fuqizimin e armëpushimit të arritur midis Izraelit dhe Hamasit për ndaljen e luftimeve më të rënda 11-ditore, ndër vite.

Por, Blinkeni ka siguruar se Shtetet e Bashkuara synojnë që Hamasi, të cilin vendi e konsideron organizatë terroriste, të mos përfitojë nga ndihmat humanitare.

Blinkeni ka nisur të martën vizitën rajonale në Jerusalem, me takimin e mbajtur me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Lideri izraelit ka paralajmëruar me këtë rast për “reagim shumë të fuqishëm” po qe se Hamasi i përsëritë sulmet me raketa përtej kufirit.

Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga Egjipti dhe i koordinuar nga SHBA-ja, ka filluar së zbatuari të premten dhe po respektohet ende.

Krahas misionit të Blinkenit, autoritet izraelite kanë premtuar se do ta lejojnë hyrjen e naftës, barnave dhe ushqimeve në Gazë, për herë të parë që prej fillimit të luftimeve më 10 maj. Blinkeni ishte parashikuar që të takohej edhe me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, dhe ta vizitonte edhe Kajron dhe Amanin. Porse zyrtarët amerikanë kanë sugjeruar se është ende shumë herët për bisedime më të gjera paqësore ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve.