Botë

Britania nuk e përjashton mundësinë e mbylljes së pjesshme shkaku i variantit indian të koronavirusit

Sekretari i Shëndetësisë i Britanisë, Matt Hancock ka thënë se është shumë e mundur që varianti i koronavirusit i zbuluar për herë të parë në Indi, do të bëhet variant dominant edhe në Britani të Madhe.

Por, Hancock thotë se është lajm i mirë se duket që vaksina funksionon ndaj këtij varianti.

“Është shumë e mundur që do të bëhet varianti dominuez. Por, lajmi i mirë është se kemi besim të madh se vaksina funksionon kundër këtij varianti. Thjeshtë virusi ka marrë pak hov dhe duhet të jemi më të kujdsesshëm”, ka thënë Hancock.

Ai ka shtuar se do të rritet ritmi i vaksinimit në zonat ku numri i rasteve me variantin indian të koronavirusit është më i madh.

“Ne jemi duke vendosur më tepër persona atje për të vaksinuar. Do të vendosim një qendër të re të vaksinimit në Bolton. Po ashtu në javët në vijim do të hapim vaksinimit për personat mbi 35 vjet në gjithë vendin, pasi duhet të rrisim ritmin e vaksinimit në gjithë vendin”.

Hancock nuk e ka përjashtuar mundësinë që Qeveria të implementojë mbyllje të pjesshme nëse është e nevojshme. Por, ai shpreson të mos ndodhë kjo.