Botë

Veprimet e Bidenit për palestinezët

Descriptive Text

Presidenti amerikan synon që të ndihmojë, por nuk është gati për ta paguar çmimin

Në muajt e parë të pushtetit, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, dalëngadalë ka shpalosur politikën e saj të re karshi Izraelit dhe Palestinës. Ritmi i matur ishte një tregues se administrata ka qenë e përqendruar çdoherë në atë që është primare – adresimin e pandemisë dhe krizës ekonomike që e prodhoi ajo. Këtu, si kudo tjetër, braktisja e politikave afatgjate nga ish-presidenti Donald Trump, ishte sinjal se ekipi i pakompletuar i Bidenit për Lindjen e Mesme ka shumë punë për të bërë.

Revista politike “Foreign Policy” në një analizë për konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve ka shtjelluar edhe veprimet e SHBA-së për t’i dhënë fund këtij konflikti. Në një memorandum të përpiluar në muajin shkurt dhe me titull “Rinisja SHBA-Palestinë dhe rruga përpara”, zyrtarët amerikanë këshilluan për rivendosjen e “indit lidhës”, që ishte kalbur në vitet e fundit, duke bërë thirrje për zgjidhje me dy shtete dhe rikthimin e fondeve për palestinezët.

“Zyrtarët menduan se kishin kohë. U gabuan. Dhuna që shpërtheu edhe një herë në rajon ngërtheu forma të njohura, por frikë të re. Kësaj here, ishin kolonët hebrenj dhe Qeveria izraelite ato që e prishën status-quon edhe ashtu të brishtë, duke i kërcënuar me dëbim nga Jerusalemi Lindor palestinezët dhe duke i sulmuar ata në Portën e Damaskut dhe më pas në ‘Al-Aqsa’, pas lutjeve të xhumasë”, shkruan revista amerikane “Foreign Policy”.

Sipas revistës, palestinezët u përgjigjën me stilin e tyre duke hedhur gurë, pastaj “Hamasi” nisi sulmin me raketa me qëllimin që t’i terrorizonte civilët. Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme ajrore dhe tani edhe me këmbësori. Lufta, në formë të veçantë, por gati rituale, shpërtheu për herë të parë që prej vitit 2014.

Befasi e madhe

Administrata e Bidenit u zu në befasi. Është përgjigjur në formë të konsumuar nga koha. Publikisht qetësoi Izraelin duke i dhënë mbështetje të palëkundur teksa deklaroi se është e shqetësuar nga dëbimet e vazhdueshme dhe shkatërrimin e shtëpive në Jerusalemin Lindor. Ani pse zyrtarët tani po punojnë me Egjiptin, Jordaninë dhe shtetet e Gjirit për t’i dhënë fund dhunës, niveli modest i angazhimit përçon një mesazh të qartë: “Nuk po e shihni që po punojmë në infrastrukturë?”, ka shkruar revista.

Sipas “Foreign Policy”, këtu shpërfaqet një model i ri. Siç ka shkruar për politikën e refugjatëve, revista përmend se administrata e Bidenit ka një politikë të menduar mirë për pothuajse çdo gjë, mirëpo nuk do të lejojë që të pengohet politika e saj kryesore.

“Ashtu siç qe veprimi në panik i krizës së papritur në kufi, kur shkeli principet e saj duke refuzuar refugjatët, ashtu ishte edhe refleksi i saj përballë shpërthimit të papritur të armiqësive në Lindjen e Mesme, për të lënë mënjanë angazhimet e veta për rezultat më të mirë të palestinezëve. As nuk është rastësi që në të dyja rastet administrata zgjodhi të mos trazonte erën politike. Në rastin e refugjatëve, administrata i pa gabimet e veta dhe ndryshoi kurs. Është ende herët që të flitet për luftën/konfliktin në Gaza”, shkruan “Foreign Policy”.

Në analizë vlerësohet, po ashtu, se lufta në Gaza do të përfundojë, siç kanë përfunduar edhe ato në të shkuarën, me dy palët që i shkaktuan vuajtje njëra-tjetrës – ani pse Izraeli ka shkaktuar më shumë – të dy taborët mund të deklarojnë fitoren dhe ta kryejnë ditën. “Por kjo nuk mund ta ndryshojë konfliktin brenda Izraelit që për herë të parë i vuri kundër hebrenjtë ndaj qytetarëve arabë. Bashkë me ngritjen e tensioneve në Jerusalemin Lindor, dhuna shumë personale në qytetet izraelite mund të radikalizojë dy palët dhe të thellojë polarizimin. Vala e fundit e dhunës, tekefundit, filloi me marshin e hebrenjve të krahut të djathtë në Jerusalemin Lindor, teksa bërtisnin: ‘Vdekje arabëve’”, shkruan revista “Foreign Policy”.

Problemet e brendshme

Revista shkruan se nuk është aspak e imagjinueshme se një shtet gjithnjë e më nacionalist si Izraelit mund të zyrtarizojë statusin e klasës së dytë të arabëve ashtu siç veproi kryeministri i Indisë, Narendra Modi, me myslimanët hindusë. Ani pse “Human Rights Watch” është kritikuar për akuzat që ia bëri Izraelit për aparteid në territoret e okupuara, në një sondazh të muajit shkurt, shumica e studiuesve amerikanë të Lindjes së Mesme e cilësuan situatën aktuale në Bregun Perëndimor dhe Gaza “si realitet i një shteti të ngjashëm me aparteidin”.

Kjo është status-quo. Arabët që jetojnë në Izrael kanë jetë dukshëm më të mirë sesa në këto dy territore, por edhe ata kanë humbur toruan me statusin e tyre të klasës së dytë.

Kështu, pyetja se çfarë mund të bëjnë të huajt për t’i dhënë fund dhunës, ka sjellë një urgjencë të re. Edhe këtu, rituali ka sunduar në të kaluarën. Diplomatët amerikanë bëjnë thirrje për fundin e armiqësive me qëllim që i ashtuquajturi proces i paqes të mund të vazhdojë, dhe pastaj të ketë takime të kota njëra pas tjetrës. Izraeli ka kaluar dekada të tëra duke prodhuar “fakte” – në formë të vendbanimeve, mureve, infrastrukturës kritike – që e bëjnë të pamundur zgjidhjen me dy shtete si në logjistikë ashtu edhe në politikë.

“Në cilindo rast, as kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, as presidenti palestinez Mahomoud Abbas nuk kanë qenë të gatshëm t’i bëjnë lëshimet e dhimbshme që kërkohen për zgjidhje me dy shtete”, shkruan revista “Foreign Policy”.

Sidoqoftë, siç kishte shkruar analisti rajonal, Nathan Thrall, në një analizë të vitit 2014, “një shans i mirë për sukses kurrë nuk ka qenë parakusht në procesin e paqes”. Negocimi, shkroi ai, ofronte shpërblimet e veta, përveç qëllimeve kryesore. Një prej këtyre shpërblimeve ishte ulja e presionit për reformat aktuale me qëllim që të përmirësohej jeta e palestinezëve.

Parodia e procesit të paqes mori fund me Trumpin, i cili premtoi se do ta zgjidhë të pazgjidhshmen, por përfundoi me shpalljen e një formule që eliminonte krejtësisht shtetin palestinez, madje edhe një rol negociues për palestinezët.

“Trumpi ishte presidenti i parë amerikan që ia mësyu zgjidhjes dyshtetërore. Gjatë verës së shkuar, këshilltarët e fushatës së Bidenit jozyrtarisht thanë se edhe demokrati do të pranonte të pashmangshmen, mirëpo këtë do ta bënte me qëllim që të përqendrohej më shumë në përmirësimin e jetës së palestinezëve sesa në margjinalizimin edhe më. Në fakt, Bideni publikisht ka përqafuar zgjidhjen me dy shtete, ashtu siç thuhet edhe në memorandumin e Departamentit të Shtetit; ka qenë përkrahës i madh i Izraelit me dekada të tëra. Por Bideni pa teksa dy sekretarët e Shtetit, Hillary Clinton dhe John Kerry, dështuan në paqen e Lindjes së Mesme dhe nuk është i uritur për martirizim. Mendimi përreth Shtëpisë së Bardhë është: ‘Nuk ia kemi mësyrë ‘Nobelit’ për Paqen këtu’”, vlerëson revista amerikane.

Plani i Bidenit

Përkushtimi publik për një zgjidhje me dy shtete teksa tentohet të përmirësohet gjendja e palestinezëve është një strategji krejtësisht mbrojtëse. Por si?

Administrata amerikane ka premtuar 235 milionë dollarë për palestinezët nëpërmjet agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe me grante direkte. Bideni shpreson të rivendosë misionin palestinez në Washington dhe në Konsullatën e Përgjithshme të SHBA-së në Jerusalem, të dyja të eliminuara nën Trumpin – por së pari lypset miratimi i Kongresit, e së dyti, i Izraelit.

“Memorandumi i Departamentit të Shtetit bënte thirrje për hapjen e një konsullate në territoret palestineze”, shkruan “Foreign Policy”.

Këto janë masa të vlefshme, ama modeste. Një qasje më thelbësore, e sugjeruar nga Brian Katulis, ekspert për Lindjen e Mesme në Qendrën për Progresin Amerikan, është që të përqendrohet në zhvillimin ekonomik, duke bërë presion që Izraeli të sigurojë ujë dhe energji elektrike në Bregun Perëndimor dhe Gazën dhe të ofrojë leje ndërtimi për të mundësuar ngritjen e bizneseve të reja. Katulis gjithashtu ka vërejtur se shtetet arabe që nënshkruan “Akordin Abraham” duke premtuar “bashkëpunim dhe dialog” me Izraelin – Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Maroku dhe Sudani – “kanë këqyrur seri” konfliktin, por nën udhëzimet amerikane, janë bërë burime kryesore të mbështetjes ekonomike dhe teknike për palestinezët.

Megjithatë, kjo nuk do të adresonte problemin e “aparteidit”.

Çdo përpjekje për ta bërë këtë do ta vendoste administratën e Bidenit në një shteg përplasjeje, jo vetëm me Izraelin por edhe me Kongresin amerikan, në të cilin Netanyahu gjen mbështetje më të madhe sesa në Izrael. Për shembull, Daniel Levy, kreu i Projektit të Lindjes së Mesme (dhe autor i pjesës së fundit të kësaj analize të Foreign Policy) argumenton se palestinezët nuk do të kenë një qeveri legjitime të aftë për të çuar përpara interesat e tyre nëse Abbasi nuk mund të bindet të punojë me “Hamasin”. (Në fillim të këtij muaji Abbas bëri thirrje për zgjedhjet e planifikuara prej kohësh nga frika se do të humbte.) Levy ka absolutisht të drejtë për nevojën për të sjellë “Hamasin” brenda ombrellës qeverisëse. Edhe nëse Bideni pajtohet - gjë që mund të mos pajtohet - bekimi i një bashkimi të tillë do të shkelte rregullin e tij për “pa martirizim”. Ai mund të jetë në gjendje të jetojë pa Netanyahun, por nuk mund të jetojë pa Chuck Schumerin.

Atëherë, ku është linja mes “shumë e vështirë” dhe “mos u shqetëso”? Çfarëdo që Bideni vendos të bëjë, do të duhet ta bëjë nëpërmjet shteteve abrahamike, por edhe me Egjiptin dhe Jordaninë. Ndoshta edhe me Katarin. Secila prej shteteve ka leva të ndryshme për Izraelin dhe palestinezët.

“Në mesin e synimeve të Bidenit duhet të jetë fundi i bllokadës në Gaza, lirimi i udhëtimeve brenda Bregut Perëndimor, ndalja e shkatërrimit të shtëpive dhe fuqizimi i vetëqeverisjes palestineze, duke adresuar problemet e arabëve izraelitë dhe duke shembur dhunën e grupeve të krahut të djathtë, shumica e tyre i përkasin koalicionit qeverisës së Netanyahut”, vlerëson revista “Foreign Policy”.

Krejt prej këtyre qëllimeve do të ishin vështirë të realizueshme edhe në periudhën më të mirë të mandatit të Trumpit; tani pas sulmeve të Hamasit në qytetet izraelite dhe konfliktit të brendshëm në Izrael, duket gati e pamundur.

Shumica do të thonë: “Kjo nuk është ajo që kemi në mendje nga ‘një politikë e jashtme për klasën e mesme’”. Por, siç mësoi ish-presidenti Barack Obama nga dështimi i tij më i madh, largimi nga Lindja e Mesme nuk është opsion.

“Tensioni mes nacionalizmit në rritje në mesin e hebrenjve dhe arabëve gjithnjë e më të paqartë brenda shtetit dhe në territoret e kontestuara, mund të jetë i paqëndrueshëm. Bideni me kujdes ka grumbulluar kapitalin e tij politik; mund ta shpenzojë një pjesë aty ku dëshiron më së paku”, vlerëson “Foreign Policy”.

Përgatiti: Gent Mehmeti