Botë

Kryeparlamentari i Maldives në gjendje të rëndë, dërgohet për shërim në Gjermani

Kryetari i Parlamentit, njëherësh ish-presidenti i Maldives, Mohamet Nasheed, është dërguar në Gjermani për trajtim të mëtutjeshëm, pas atentatit ndaj tij javë më parë.

Nasheed është mbajtur në kujdes intensiv pasi ishte plagosur rëndë nga një shpërthim i një bombe shumë afër veturës së tij, më 6 maj në kryeqytetin e Maldives, Male.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pasi Nasheed kishte dalë nga shtëpia kur një bombë e instaluar në një motoçikletë pranë veturës së tij kishte shpërthyer. Lëndime përveç tij, kishin marrë edhe një prej truprojave dhe një kalimtar i rastit.

Kryeparlamentari i është nënshtruar një operacioni të rëndë 16-orësh, për t’iu larguar copëzat e bombës nga mushkëritë, gjoksi dhe mëlçia.

Deri më tani, Policia ka arrestuar tre persona që dyshohet se kanë lidhje me sulmin, të cilin ata e lidhin me ekstremizmin islamik.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë e sulmit ndërkohë që Policia po heton edhe për të përfshirë të tjerë në këtë rast.