Botë

Shtrirja e ndikimit amerikan me planin e vaksinave

Debati mbi vaksinat vjen teksa administrata vendosi një synim të ri për të vaksinuar 70 për qind të amerikanëve të rritur deri më 4 korrik, ndërsa Bideni po punon që t’ua ndërrojë mendjen edhe skeptikëve më të rryer të vaksinave dhe atyre që nuk janë të motivuar për t’u vaksinuar

Nuk do të shpejtojë prodhimin e vaksinave. Zemëroi prodhuesit e tyre që në kohë rekorde nisën shpërndarjen e dozave. Mirëpo, vendimi i presidentit Joe Biden për të mbështetur heqjen dorë nga të drejtat e pronës intelektuale për vaksinat e koronavirusit kishte një qëllim më të gjerë: të transmetonte mesazhin e angazhimit të administratës së tij për udhëheqjen globale.

Për më shumë se një muaj debat përbrenda administratës nxiti vendimin e Bidenit që të përkrahte thirrjet ndërkombëtare që të hiqet dorë nga patenta për vaksinat.

Ndryshimi i politikës, i përkrahur nga shumë organizata bamirësie nëpër botë dhe nga liberalët brenda SHBA-së, nuk ishte asgjë e re. Bideni e përkrahu planin për vaksina gjatë fushatës së tij për Shtëpinë e Bardhë. Por, ideja ishte temë e diskutimeve të shtruara brenda administratës mbi mënyrën më të mirë për t’i dhënë fund pandemisë, duke rikthyer ndikimin e SHBA-së në botë.

Në rastin më të mirë, zyrtarët e pranojnë se do të duhet të paktën një vit që çdo vaksinë shtesë të prodhohet për shkak të ndryshimeve. Udhëheqësit kryesorë evropianë me vendosmëri janë shprehur kundër heqjes dorë nga patentimi i vaksinave, duke siguruar konsensusin e kërkuar në Organizatën Botërore të Tregtisë, që në shumicën e rasteve nuk arrihet kurrë.

Prodhimi i specializuar, posaçërisht i vaksinave të fundit mRNA të krijuara nga “Pfizeri” dhe “Moderna” do të zgjaste edhe më shumë. Për më tepër, çështja mund të bëhet më pak e ngutshme nëse prodhuesit e vaksinave mund të prodhojnë mjaftueshëm për të kënaqur vetë kërkesën ndërkombëtare.

Image
Ligjvënësit republikanë paralajmëruan se plani për heqjen e patentave të vaksinave nënkupton dhurimin e gjithë njohurisë teknologjike amerikane në duart e Kinës

Kthimi i Amerikës

Për Bidenin, thonë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, kjo është anash çështjes kryesore, teksa zyrtarët marrin vendimin si paralajmërim i tentimeve të presidentit për ta kthyer SHBA-në në pozitën e lideres pas katër vjetësh unilateralizëm dhe proteksionizëm nga ish-presidenti Donald Trump.

“Kjo është një krizë globale shëndetësore dhe rrethanat e jashtëzakonshme të pandemisë COVID-19 bëjnë thirrje për masa të jashtëzakonshme”, thotë përfaqësuesja e Tregtisë së SHBA-së, Katherine Tai.

Njoftimi u prit me habi dhe zhgënjim nga disa prej aleatëve më të ngushtë evropianë të Bidenit. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, doli kundër propozimit, me zëdhënësin e Qeverisë gjermane që deklaroi se do të shkaktonte komplikime të thella në prodhimin e vaksinave.

Momenti i propozimit nxiti reagimin e kompanive të vaksinave, të cilat në mënyrë agresive i bën thirrje administratës amerikane që të mos çonte përpara propozimin që ata mendojnë se do të dëmtonin keq prodhuesit amerikanë të vaksinave.

Zyrtarët pranuan se Tai mori pjesë në disa takime me palët e interesuara, përfshirë edhe prodhuesit e vaksinave.

Sekretarja e Tregtisë, Gina Raimondo, gjithashtu kundërshtoi planin, por u përjashtua nga takimi përfundimtar, thanë dy njohës të procesit të vendimmarrjes, por jo të autorizuar për të folur publikisht për diskutimet private. Zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë theksuan kufizimet praktike të vendimit të Bidenit, por simbolizmi siguroi fitoren e ditës.

Frika e madhe

Grupet e tregtisë paralajmëruan se mund të kufizojnë investimet e ardhshme në ilaçet e rëndësisë jetësore dhe në prodhuesit e vaksinave, ndërkaq ligjvënësit republikanë paralajmëruan se ky vendim nënkupton dhurimin e gjithë njohurisë teknologjike amerikane në duart e Kinës. Prodhimi i vaksinave historikisht nuk ka qenë një nxitës i madh fitimi për prodhuesit e ilaçeve.

“Partia Komuniste e Kinës tashmë po feston këtë dhuratë nga presidenti Biden”, shkroi në Twitter, senatori i Arkansasit, Tom Cotton, teksa përmendte një koment të një zyrtari kinez që ishte i kënaqur me veprimin e presidentit amerikan.

Vaksina e prodhuar nga një kompani kineze, të premten, mori autorizimin për përdorim emergjent nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke hapur rrugë që miliona doza të saj të arrijnë te shtetet e varfra nëpërmjet programit COVAX të OBSH-së.

Vendimi nga një grup teknik i OBSH-së, i pari për një vaksinë kineze, krijon mundësinë që oferta e “Sinopharmit” të përfshihet në programin COVAX të mbështetur nga Kombet e Bashkuara. Vaksinat e këtij programi shpërndahen nëpërmjet UNICEF-it dhe zyrës rajonale të OBSH-së për kontinentet amerikane.

Mirëpo, prodhuesit amerikanë të vaksinave tërhoqën vërejtjen se synimi i administratës së Bidenit mund të dëmtojë rrjetin e furnizimit të vaksinave në një të ardhme të afërt.

Pengesa kryesore për prodhimin e vaksinave, kanë argumentuar ata, mbeten bllokadat në prodhim dhe mungesa e furnizimit me përbërës të nevojshëm për prodhimin e vaksinave - sfidë që mund të ashpërsohet nëse shtetet grumbullojnë përbërësit dhe presin që të nisin prodhimin e vaksinave brenda territorit të tyre. Vaksina “Pfizer”, për shembull, ka më shumë se 200 përbërës, shumë prej të cilave janë të kërkuara në të gjithë botën.

Disa zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë, përveç që vunë në dukje se presidenti u zotua ta bëjë këtë gjatë fushatës, gjithashtu besojnë se krijon një fitore politike me interesa të ulëta. Ata thanë se vendimi, i cili është duartrokitur nga disa politikanë të majtë, është politikë e mirë demokrate dhe se pak do të zemërohen në emër të kompanive të ilaçeve, edhe pse ato firma janë vlerësuar si heronj të pandemisë.

Shëndetësia amerikane

Ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë pohojnë se veprimi i Bidenit është i kufizuar në vaksinat COVID-19 për shkak të shkallës së pandemisë, por disa progresistë të cilët kanë shtyrë që qeveria të rregullojë çmimin e barnave me recetë panë një hapje.

“Ja pse Pharma me të vërtetë vajton për patentat e vaksinave COVID: Qeveria më në fund mund të ketë fuqinë për të ulur çmimet e ilaçeve këtu në shtëpi”, shkroi të premten senatorja e Massachusetts, Elizabeth Warren. “Dhe duhet”.

“Presidenti Biden mund t’i ulë çmimet e barnave duke prodhuar barna, si insulinën, naloksonin dhe EpiPensin me një kosto shumë të ulët”, shkroi ajo. “Dhe ai nuk ka nevojë për Kongresin për ta bërë atë - mund t’i përdorë autoritetet ekzistuese të licencimit të detyrueshëm dhe marshimin për t’i anashkaluar patentat për nevojat e shëndetit publik”.

Debati mbi vaksinat vjen teksa administrata vendosi një synim të ri për të vaksinuar 70 për qind të amerikanëve të rritur deri më 4 korrik, ndërsa Bideni po punon që t’ua ndërrojë mendjen edhe skeptikëve më të rryer të vaksinave dhe atyre që nuk janë të motivuar për t’u vaksinuar.

Kërkesa për vaksina ka rënë dukshëm në të gjithë vendin, me disa shtete që nuk kanë shfrytëzuar as gjysmën e dozave të ndara. Tashmë më shumë se 56% e të rriturve amerikanë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës COVID-19 dhe gati 105 milionë janë vaksinuar me dy doza. SHBA-ja aktualisht çdo ditë po vaksinon nga 965 mijë njerëz. Gjysma e normës së tre javëve më parë, por pothuajse dy herë më shpejt sesa nevojitet për ta përmbushur planin e Bidenit.