Botë

“Po”-ja nga OBSH-ja, fitore për diplomacinë kineze të vaksinave

Megjithëse është vlerësuar një veprim që mund ta hapë rrugën për furnizimin me vaksina ndaj COVID-19 për vendet më të varfra, ekzistojnë dyshime nëse Kina mund ta jetësojë këtë pritshmëri. Kjo pasi vendimi nga trupi më i madh shëndetësor në botë është marrë në kohën kur zyrtarët kinezë kanë njoftuar për mungesa të brendshme

Vendet e varfra që janë në garë për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit tani e kanë edhe një opsion në dispozicion, ndërsa reputacioni i Kinës si një superfuqi shkencore në ngritje të premten veç ka marrë një shtysë madhore.

Kjo pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar njërën prej vaksinave kineze, të zhvilluar nga kompania “Sinopharm”, si të sigurt dhe të besueshme për luftimin e virusit.

Njoftimi e shënon një hap madhor drejt eliminimit të dyshimeve rreth vaksinës, pasi shumë pak të dhëna nga fazat e fundit të testimeve klinike janë zbardhur nga Qeveria kineze dhe nga vetë kompania. Miratimi për përdorim emergjent lejon që vaksina e “Sinopharmit” të përfshihet në COVAX, iniciativë kjo globale që ofron vaksina falas për vendet e varfra. Përfshirja e mundshme në COVAX ngre shpresën se shumë më tepër njerëz – sidomos ata në vendet në zhvillim – do të kenë qasje në dozat e kurave, pikërisht në një moment vendimtar.

“Përfshirja e kësaj vaksine e ka potencialin që ta përshpejtojë ngutshëm qasjen në vaksinat antiCOVID për vendet që kërkojnë mbrojtje për punëtorët shëndetësorë dhe popullatat në rrezik”, ka theksuar Mariangela Simao, ndihmësdrejtoreshë e përgjithshme për Qasje në Produkte Shëndetësore, pranë OBSH-së.

Qasja e qëndrueshme në vaksina mund ta marrë një shtysë të re javën e ardhshme, kur OBSH-ja ta shqyrtojë një tjetër kurë kineze, të zhvilluar nga kompania “Sinovac”. Por, jehona mund të jetë jetëshkurtër.

Derisa Kina ka pretenduar se mund të prodhojë më shumë se 5 milionë doza deri në fund të këtij viti, zyrtarët kinezë kanë bërë të ditur se vendi po përballet me vështirësi për prodhimin e dozave të mjaftueshme për popullatën kineze dhe kanë paralajmëruar botën nën ethet e pandemisë që të mos ushqejë pritshmëri shumë të larta.

“Kjo duhet të jetë kohë e artë për Kinën në praktikimin e diplomacisë së saj të vaksinave. Problemi është se në këtë kohë vetë Kina po ballafaqohet me mungesa”, ka thënë Yanzhong Huang, një anëtar i lartë i Këshillit global shëndetësor për marrëdhënie me jashtë. “Andaj, në aspektin e qasjes globale në vaksina, nuk pres që situata të përmirësohet theksueshëm gjatë dy deri tre muajve të ardhshëm”.

“Sinopharm” dhe “Sinovac” prodhojnë bashkë rreth 12 milionë doza në ditë, vetëm pak më shumë se 10 milionë doza sa Kina shpreson t’i administrojë brenda një dite për ta arritur cakun brendshëm të vënë. Kësisoj, kompanitë do të duhej të prodhonin mesatarisht nga 500 milionë doza shtesë për t’i adresuar kërkesat e vendeve të tjera, sipas përllogaritjeve të “Bridge Consulting”, një kompani kjo konsulente me seli në Pekin dhe e përqendruar në ndikimin e Kinës në shëndetin global.

Në anën tjetër, mungesa e vaksinave në Kinë e nënvizon ndërlikueshmërinë e fushatës së vaksinimit masiv për vendin me popullatën më të madhe në botë, që njëherësh po përpiqet ta jetësojë edhe një program ambicioz të shpërndarjes.

Pavarësisht kësaj, Andrea Taylor, e cila i analizon të dhënat globale mbi vaksinat në Institutin Duke për shëndet global, e ka cilësuar përfshirjen e dy vaksinave kineze në programin COVAX si “ndryshues të rregullave të lojës”.

“Situata tani është thjesht aq e dëshpëruar në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme saqë cilado dozë që mund të sigurohet është më shumë se e vlefshme”, ka theksuar Taylor. “Dy opsionet potenciale nga Kina mund t’i ndryshojnë rregullat e lojës për disa muaj të ardhshëm.”

Vaksinat kineze tanimë janë shpërndarë në më shumë se 80 vende të botës, por janë pritur me skepticizëm të konsiderueshëm, pjesërisht shkaku se kompanitë nuk i kanë publikuar të dhënat e fazës së tretë të testimit për shkencëtarët, me qëllim të vlerësimit të pavarur të shkallës së efikasitetit. Një grupi këshillues të OBSH-në këto të dhëna i janë siguruar këtë javë.

Kura e “Sinopharmit”, e zhvilluar nga Instituti i Pekinit për Produkte Biologjike, ka një shkallë efikasiteti prej 78.1 për qind, sipas grupit këshillues të OBSH-së. Ajo e “Sinovacut” është prej 50 deri në 84 për qind e sigurt, varësisht prej shtetit ku testimi i fazës së tretë është kryer. Përgjithësisht, që të dyja kanë efikasitet më të ulët sesa vaksinat e “Pfizer”-“BioNTech” dhe “Modernas”.

Mbetet, megjithatë, të shihet nëse miratimi nga OBSH-ja do ta ndryshojë qasjen e Pekinit për shpërndarjen e vaksinave. Deri më tani, Kina i ka dhënë vetëm 10 milionë doza për COVAX-in, ani pse në mënyrë të pavarur ka dhënë donacion 16.5 milionë doza dhe ka shitur 691 milionë syresh në 84 vende të botës.

Përktheu: Nita Lleshi-Dobroshi