Botë

“Kokaina e fukarasë” që e bëri Sirinë narko-shtet

Captagoni është vetëm njëri prej disa emrave të përbërësit kryesor të ilaçit hidroklorur fenetilinë. Është stimulues me veti të varësisë që përdoret në mënyrë rekreative në të gjithë Lindjen e Mesme dhe nganjëherë quhet “kokaina e fukarasë”. Përdoret gjithashtu nga grupe të armatosura dhe forca të rregullta në situata beteje. Ky ilaç shton guximin dhe mpin frikën

Në verën e 2015-s, një biznesmeni në provincën siriane të Latakisas iu afrua shefi i fuqishëm i sigurisë së shtetit. Ia kërkoi një nder. Donte që tregtari, importues i ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore, të siguronte në shtetet e tjera sasi të mëdha të ilaçit të quajtur fenetilinë. Shefi i sigurisë tha se shteti do ta blinte me të madhe këtë ilaç.

Pas një kërkimi në internet, biznesmeni mori vendim pa menduar dy herë. U largua nga shtëpia e tij po atë javë. Së pari largoi gruan dhe fëmijët, pastaj i ndoqi pas. Duke marrë çfarëdo që mundte nga biznesi i tij, në kërkim të një fillimi në ndonjë shtet tjetër.

“E di se çfarë po kërkonin nga unë”, thotë ai nga shtëpia e re në Paris. “Donin përbërësin kryesor të Captagonit. Ai ilaç është një biznes i fëlliqtë”.

Biznesmenë të tjerë në veri të Sirisë nuk kanë ndarë rezervat e tij. Gazeta britanike “The Guardian” shkruan se prodhimi i Captagonit në zemër të regjimit të Sirisë, është shndërruar në një nga storiet e suksesit në biznes; industri që është rritur me të madhe dhe fort e sofistikuar sa ka rivalizuar GDP-në e vetë ekonomisë së Sirisë.

“Nga rrënojat e Sirisë dhe shembja po aq katastrofike përtej kufirit në Liban, ku në fund muajit prill u zbulua nga zyrtarët sauditë një dërgesë e Captagonit e fshehur në anije dhe e eksportuar nga Bejruti, një realitet po bëhej kristal i qartë: të dy vendet me shpejtësi po bëheshin narko-shtete, nëse deri tash nuk e kanë përmbushur këtë përkufizim”, shkruan prestigjiozja britanike.

Kontrabandë e madhe

Image

Para sekuestrimit të miliona pilulave Captagon gjatë muajit prill, të cilat çuan në një bllokadë totale të të gjitha importeve bujqësore nga Libani në Arabinë Saudite, të paktën 15 dërgesa të tjera të drogës ishin kapur në Lindjen e Mesme dhe Evropë në dy vjetët e fundit. Gjashtë zyrtarë të policisë dhe inteligjencës në Lindjen e Mesme dhe Evropë i kanë thënë gazetës “The Guardian” se të gjitha dërgesat u realizuan nga pika kryesore e Captagonit në Siri, ose përtej kufirit në Liban, ku një rrjet i paprekshëm - familjet e krimit, udhëheqësit e milicisë dhe figurat politike - kanë formuar në pikat ndërkufitare kartele që prodhojnë dhe shpërndajnë sasi industriale të barnave.

“Ata janë njerëz shumë të rrezikshëm”, thotë një zyrtar i lartë në Bejrut. “Nuk ia kanë frikë askujt. Ata janë të padukshëm nga syri i zakonshëm”.

Captagoni është vetëm njëri prej disa emrave të përbërësit kryesor të ilaçit hidroklorur fenetilinë. Është stimulues me veti të varësisë që përdoret në mënyrë rekreative në të gjithë Lindjen e Mesme dhe nganjëherë quhet “kokaina e fukarasë”. Përdoret gjithashtu nga grupe të armatosura dhe forca të rregullta në situata beteje. Ky ilaç shton guximin dhe mpin frikën.

Për të gjitha qëllimet, kufiri midis të dy vendeve është i tepërt, një zonë e paligjshme ku kontrabandistët veprojnë me bashkëpunimin e zyrtarëve të të dyja palëve.

Portet e drogës

“Kontrabandistët lëvizin të gjitha produktet, hashashin dhe Captagonin. Këto produkte kalojnë në rrugën që merr luginën Bekka të Libanit, kalon në qytetin Qusayr në Siri, kalon veriun në Alawite, pjesë e regjimit të Asadit dhe përfundon në portet Latakia e Tartus.

“Latakia në veçanti ka qenë nën vëzhgimin e rreptë të policisë dhe agjencive të inteligjencës evropiane dhe amerikane. Një kushëri i udhëheqësit sirian, Bashar al-Assad, Samer al-Assad është një figurë me ndikim në port. Sipas tregtarit të mërguar dhe tre biznesmenëve të tjerë në Latakia, kushdo që dëshiron të operojë duhet të paguajë një shumë të konsiderueshme nga të fitimet në këmbim të hyrjes në rrjete dhe mbrojtje”, shkruan “The Guardian”.

“Pavarësisht mbikëqyrjes së portit, biznesi ka lulëzuar. Që prej vitit 2019 biznesi i narkotikëve në Siri ka rivalizuar edhe kartelin Sinaloa të Meksikës sa i përket shkallës dhe efikasitetit të biznesit”, thuhet më tej në raportin e gazetës britanike.

Në korrikun e vitit 2019 u gjetën pesë tonë pilula Captagon në Greqi. Dy pako të ngjashme u kapën në Dubaj më vonë gjatë vitit 2019, ndërkaq në prillin e vitit 2020 u kapën katër tonë hashash në portin e Saidit në Egjipt. Hashashi ishte mbështjellë në pakot e kompanisë “Milkman”, që ishte në pronësi të pasanikut të regjimit, Rami Makhlouf.

Një ngarkesë me Captagon u kap në Arabinë Saudite. Ishte e fshehur në gjethet e çajit. Pati konfiskime edhe në Rumani, Jordani, Bahrein dhe Turqi.

“Në korrik të vitit të kaluar, transportimi më i madh ndonjëherë i drogës, me vlerë prej më shumë se 1 miliard euro në tregun e zi, u kap në portin italian të Salernos. Pakoja e drogës besohet se kishte destinacion Dubain”, shkruan “The Guardian”.

“Droga ishte fshehur në rrotulla letrash letre dhe në një makineri të nisur nga fabrika e printimit në Aleppo. Roma zyrtare fillimisht hodhi fajin te ISIS-i. Ndërkaq në dhjetorin e shkuar, faji iu hodh rrjetit të fuqishëm të Hezbollahut në Liban. Grupi ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se nuk ka gisht në tregtinë e Captagonit që po lidhej me dy shtetet fqinje”, thuhet në vlerësimin e gazetës.

Bashkëpunimi i shteteve

Organizata “Qendra për Analizë Operacionale dhe Kërkime”, që përqendrohet në Siri, së fundmi ka publikuar një raport në të cilin sqarohej roli i Captagonit dhe hashashit në Liban, ekonomia e të cilit është dëmtuar nga konflikti i gjatë, sanksionet perëndimore, korrupsioni dhe shembja e shtetit, periudhë në të cilën u avulluan miliarda dollarë nga sistemi bankar.

“Siria është një narko-shtet me dy droga kryesore: hashashin dhe stimuluesi i tipit amfetaminë Captagon” thuhej në raport. “Siria është epiqendra globale e prodhimit të Captagonit, që tani është industrializuar, fort e përshtatshme dhe teknikisht e sofistikuar më shumë se kurrë”.

Në vitin 2020, eksportet e Captagonit nga Siria arritën një vlerë tregu prej të paktën 3.46 miliardë dollarësh. Ani pse është një shifër marramendëse, tavan tregu dukshëm më i lartë sesa është e mundur të mendohet. Megjithëse trafikimi i Captagonit dikur ishte burim i financimit të grupeve të armatosura kundër regjimit, konsolidimi i kontrollit të territorit i ka ndihmuar regjimit të Asadit dhe aleatëve të tij që rolin e tyre ta kthejnë në përfituesit kryesorë të tregtisë siriane të narkotikëve.

“Lufta në Siri nuk ka shkaktuar vetëm vdekjen e qindra mijëra, mbi 6 milionë refugjatë, 8 milionë të zhvendosur brenda vendit, rreth 1 milion të plagosur dhe bërja rrafsh me tokë i disa qyteteve, por ka shndërruar vendin zyrtarisht në një 'shtet-narko' … Me disa biznesmenë dhe kryekomandantë të regjimit që janë bërë zota të drogës”, thotë një zyrtar i internuar që ende mban lidhje me kolegët e tij brenda regjimit të Asadit.

“Në fillim të konfliktit, 1 dollar ishte e barabartë me 50 funte siriane. Kursi i këmbimit ra, por arriti të qëndrojë në 500-600 funte siriane gjatë tetë viteve të luftës derisa filloi kriza libaneze në 2019. Pastaj ne filluam të shohim rënien totale të dy monedhave në të njëjtën kohë, gjë që tregon se sa të ndërlidhura janë ato. Libani kishte vepruar si aparati i frymëmarrjes së Sirisë. Dhe papritmas humbi furnizimin me oksigjen”, thotë ai.

Princi në kurth

Disa muaj pasi tregtari i Latakias iku nga Siria, një vizitor arriti në Liban me një avion privat nga Arabia Saudite. Emri i tij ishte Princ Abdulmohsen bin Abdulaziz al-Saud, anëtar i familjes mbretërore, atëherë në fund të 20-ave. Teksa princi përgatitej të fluturonte për në shtëpi, më 26 tetor 2015, u arrestua, me sa thuhet me dy tonë pilula Captagon në bagazhet e tij. Për katër vitet e ardhshme, u mbajt në një dhomë mbi një stacion policie në rrethin Hamra të Bejrutit, ku kishte më shumë liri se të burgosurit e tjerë teksa negociatat për lirimin e tij vazhdonin.

“U zu në kurthin e Hezbollahut”, thotë një zyrtar i inteligjencës së Libanit. “Shkeli fiks në kurthin e tyre dhe Riadit i është dashur kohë e gjatë për ta liruar, sepse njerëzit këtu donin çmimin e duhur për të. Shteti nuk ishte i përfshirë. Krejt puna u bë që të zhdukej shpejt. Njerëzit e duhur u paguan dhe ai shkoi në shtëpi në 2019. Captagoni mund të kryejë punë”.

Përktheu: Gent Mehmeti