Botë

Policia arreston një 54-vjeçar që theri me thikë dy gra aziatike në San Francisco

Descriptive Text

Policia amerikane ka arrestuar të mërkurën një burrë të dyshuar për therjen me thikë të dy grave aziatike në San Francisco.

Policia ishte thirrur për të intervenuar në rrugën “Stockton” gjatë orëve të para të mëngjesit dhe ka gjetur aty dy gratë e lënduara, të cilat më pas janë dërguar në spital.

Autoritetet kanë bërë të ditur se ato ishin të moshave 65 dhe 85-vjeçare, ndërkaq nuk është raportuar mbi gjendjen e tyre shëndetësore.

Dëshmitarët e rastit kanë thënë për televizionet lokale se burri i pajisur me thikë po ecte rrugës, ndërsa më pas i ishte afruar një stacioni autobusësh, ku kishte lënduar dy gratë dhe ishte larguar.

Disa orë më vonë, një 54-vjeçar nga San Francisco është arrestuar nën dyshimin se ka kryer sulmin, ka njoftuar policia.

Nuk është bërë e ditur megjithatë nëse gratë kanë qenë caku specifik i sulmit, që dyshohet se përbën krim të urrejtjes.

Aziatikët kanë qenë cak i disa sulmeve të paprovokuara të ndërmarra gjatë muajve të fundit në Shtetet e Bashkuara.